Transmetuar më 14-08-2015, 19:29

“Spostojeni luftën nga Kabuli, Gaza dhe Bagdadi, për në Washington, Londër, Paris dhe Tel Aviv”. Është ky apeli- kërcënim i dhënë me audio nga një prej djemve të Osama Bin Laden, Hamza.

Në audion kërcënuese djali i ish-liderit të Al Qaida, ndodhet me kreun aktual të organizatës terroriste, Ayman al Zawahri.

Në fillim të audios Hamza, i cili ndodhet në zonat në kufi mes Afganistanit dhe Pakistanit, përshëndet “shtetin islamik”, duke thënë se ky shtet nuk do të njohë kurrë fund.

Hamza njihet edhe si djali i preferuar i Bin Laden. Në audion e cila sipas mediave ndërkombëtare është regjistruar muajin e kaluar gjatë Ramazanit, Hamza Bin Laden, betohet për besnikëri ndaj Mullah Omar, i cili ka vdekur.

Në mesazh ai përshëndet celulat e Al Qaida në Somali, Marok dhe Siri, dhe fton kreun e frontit al-Nusra i cili vepron në Siri, që të mos derdhet gjak kot, ose thënë ndryshe të mos vriten myslimanët.

Djali i Osama Bin Laden dhe gruas së tij të tretë, Khairiyah, flet me metaforë për një “zog, koka e të cilit është aleanca e kryqëzuar nën drejtimin e Amerikës”, ndërsa krahët janë “shteti hebraik dhe NATO”, kurse këmbët qeveritë e vendeve arabe.

Ai shton se duhet përqendruar te koka, pasi duke e këputur atë, eleminohet edhe pjesa tjetër./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd