
Tiranë, 14 gusht 2015, NOA.al- Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka reaguar menjëherë pas vendimit të Presidentit të Republikës, për të mos dekretuar ligjin për Arsimin e Lartë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj facebook, ministria Nikolla shprehet se është e zhgënjyer me qëndrimin aspak mbi palët të Presidentit të Republikës dhe me shurdhërinë e tij partiake ndaj argumentimit të hollësishëm të Komisionit të Reformës së Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, ku rikujtoj se bëjnë pjesë ekspertët më të spikatur shqiptarë të fushës pa dallime prirjesh e bindjesh politike.
“E zhgënjyer me faktin që Zoti President shpërfilli produktin profesional të një procesi gjithëpërfshirës dëgjesash e konsultimesh që si rrallë herë u shtri në më shumë se një vit, duke i dhënë mundësi e hapësirë të gjerë demokratike çdo zëri të veçantë, çdo institucioni të arsimit të lartë, çdo grupi e komuniteti pedagogësh e studentësh të interesuar për të thënë fjalën e tyre.
Por e zhgënjyer gjithashtu me faktin se Presidenti bëhet palë me pakicën politike dhe me pakicën shumë të vogël të pedagogëve që e kundërshtuan Ligjin e Arsimit të Lartë verbërisht, ndërkohë që për Presidentin mbështetja dhe përgëzimi publik që ky ligj mori nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit të Komisionit Evropian, si edhe nga një numër i vyer ekspertësh të shquar evropianë, nuk paska asnjë vlerë”, shprehet Nikolla.
Megjithatë, – thekson ajo, -ky qëndrim antireformist i radhës nga ana e Presidentit të Republikës, nuk e lëkund aspak, përkundrazi e përforcon bindjen dhe vullnetin e shumicës sonë për ta rivotuar Ligjin e Arsimit të Lartë sapo të çelet sesioni i ri parlamentar.
Arsimi i Lartë nuk do të jetë më as bajrak i partive politike, as tokë e djegur nga disa bajraktarë që duan ta mbajnë peng atë. Koha kur konkurenca dhe merita abuzoheshin papushim në emër të një autonomie të kufizuar vetëm në kuadrin e papërgjegjshmërisë ndaj prindërve e studentëve, ka marrë fund. /e.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





