
Rusi, 13 gusht 2015, NOA.al- Rusia ka shtuar edhe me katër vende të tjera listën e vendeve, prej të cilave do të ndërpresë importin e shumicës së mallrave ushqimore. Ato janë Shqipëria, Mali i Zi, Lihtenshtajni dhe Islanda. Kryeministri i Rusisë, Dmitri Medvedjev e shpalli sot këtë hap në kuadër të përgjigjes ruse ndaj sanksioneve ekonomike perëndimore kundër Rusisë, për shkak të krizës së Ukrainës. Vendet që pasuruan sot listën e ndalim-importit të Rusisë janë të katra vende shumë të vogla. Po sidomos Shqipëria dhe Mali i Zi janë dalluar për një mbështetje të zëshme të sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë. Shqipëria ka marrë në këtë kuadër disa herë vlerësime nga partnerët perëndimorë, për respektimin e vijës së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Qëndrimi i qartë properëndimor i Malit të Zi në mbështetje të sanksioneve ndaj Rusisë erdhi i papritur për disa vëzhgues. Po analistët e shpjeguan atë jo vetëm me interesa të përgjithshme gjeostrategjike të ish-Republikës së vogël jugosllave. Një anëtarësim në NATO ishte shpërblimi konkret që dukej se shpresonte Podgorica nga Organizata e Atlantikut Verior, sidomos në samitin e kaluar të NATO-s. Shpresa për momentin ka mbetur e parealizuar, por Mali i Zi po paguan një çmim të ndjeshëm për politikën e tij anti-ruse.
Në një kohë që dëmi në ekonominë e Shqipërisë nga ndalimi i eksportimit të mallrave në Rusi mendohet i vogël, në Mal të Zi është shënuar edhe një rënie e numrit të turistëve nga Rusia. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung njoftoi të hënën se kjo rënie e godet ekonominë e Malit e Zi, një e treta e turistëve të të cilit tradicionalisht janë nga Rusia. Çmimet e dhomave në hotele kanë rënë si pasojë e pakësimit të turistëve nga Rusia, zakonisht të gatshëm për të paguar çmimet më të larta ndër evropianët. Kremlini u ka bërë thirrje pushuesve rusë që t’i kalojnë më mirë në shtëpi pushimet.
Moska duket e vendosur për ta zbatuar me rreptësi embargon ruse ndaj mallrave ushqimore perëndimore. Presidenti Putin urdhëroi së fundi asgjësimin e mallrave ushqimore perëndimore, të futura kontrabandë në Rusi nga vende të treta, midis tyre nga Bjellorusia, dhe të konfiskuara në Rusi. Kryeministri rus Medvedjev informoi sot se vendi i tij do të ndalojë më 2016-ën gjithashtu importin e disa mallrave ushqimore nga Ukraina, nëse Marrëveshja Ekonomike midis Kievit dhe BE do të hyjë në fuqi. Në Rusi, qeveritarët rusë e shpjegojnë embargon ruse jo vetëm si shpagim ndaj sanksioneve perëndimore, por edhe si shans që ekonomia ruse të marrë impulse të brendshme zhvillimi. /e.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





