Transmetuar më 13-08-2015, 12:11

Tiranë, 13 gusht 2015, NOA.al- Ashtu siç ishte lajmëruar pak para mesditës së sotme është mbledhur për herë të parë Këshilli Bashkiak i Tiranës, ku është miratuar ndarja e banesave sociale për kategoritë në nevojë, për 242 familje.

Me konsensusin si të opozitës dhe mazhorancës u miratua shpërndarja e banesave sociale për 242 familje të pastreha.

Në këtë mbledhje të parë e cila u mbajt dy javë pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, vendimi i parë i marrë ishte zëvendësimi i dy këshilltareve, Adelina Albrahimi dhe Brunilda Paskali.

Albrahimi është emëruar administratore e një prej njësive të bashkisë, ndërsa Paskali është emëruar zv.kryetare e bashkisë. Këto dy këshilltare u zëvendësuan nga Joleza Koka nga PS dhe Dajana Kalgjeroviç për LSI.

Këshilltari i opozitës, Leonard Olli shprehu kundërshti për rendin e ditës duke kërkuar shtyrje për tri pika mes tyre shpërndarja e banesave sociale dhe dhënia e ndihmës për Tetovën.

“Gjykoj që nuk mundet dhe nuk duhet që projektuesit e këtyre vendimeve të mos jenë prezent në komision. Nuk është logjike që të harrohet për shembull një ish-komunë që i është shtuar Tiranës”, tha Olli.

Nga ana e tij i LSI-së, Shezai Rrokaj tha se dy prej pikave të kundërshtuara nga opozita nuk janë çështje formale dhe nuk përbëjnë problem relevant.

Sakaq kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë fjalës në mbledhje ka ftuar këshilltarët për bashkëpunim. Ai tha se duhet rikuperuar bashkëpunimi i munguar.

Kryebashkiaku tha më tej se duhen ndërmarrë disa hapa teknikë që bashkimi i 13 komunave me bashkinë e madhe të jetë funksional.

“Duhen ndërmarrë disa hapa teknikë që bashkimi të jetë funksional. Qytetarët duhet të marrin të gjitha shërbimet pa ndërprerje edhe në këtë periudhë tranzicioni. Në kohë rekord duhet të rekuperojmë kohën e humbur, pasi bashkia e mëparshme nuk punonte me Ministrinë e Shtetit për zbatimin e reformës territoriale .Në këtë mënyrë do të kemi një konsolidim financiar të bashkisë së rë të tiranës që do të vazhdojë investimet në këto 13 komuna. Me rëndësi është bashkimi i paktës fiskale me 13 komuna me atë të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Në vijim ai shtoi se borxhi i trashëguar në Bashkinë e Tiranës është 30 milionë dollarë,

Veliaj bëri një prezantim të pikave të rendit të ditës, duke nënvizuar se do bëhet ndarja e banesave sociale ku sipas tij janë lënë në harresë nga paraardhësit.

Këshilltarët miratuan gjithashtu dhenien e ndihmës prej 10 mijë euro Komunës së Tetovës në shenjë solidarizimi për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.

Vendimi për ndryshime në nivelin e pagave të punonjësve të Njësive Administrative të Tiranës është kaluar nga Këshilli i Bashkisë së Tiranës vetëm me votat e mazhorancës. Anëtarët e djathtë shprehën qëndrimin e tyre krysisht për pagat e administratorëve të njësve bashkiake, të cilat sipas tyre trefishohen ndërsa kompetencat ulen./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd