Transmetuar më 12-08-2015, 12:18

Tiranë, 12 gusht 2015, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, thotë se shqetësimi kryesor i opozitës ështe ekonomia.

Ai tha se qeveria nuk ka vizion për ekonominë, duke shtuar se politika e saj përmes rritjes së taksave, ka çuar drejt një rrënimi progresiv, biznesin e vogël dhe të mesëm, duke çuar edhe në largimin e investitorëve të huaj.

Në një komunikim të sotëm me gazetarët nga selia blu, Basha deklaroi se situatës të rënduar ekonomike i është shtuar edhe një rekord korrupsioni në tatime dhe dogana.

Kryedemokrati tha se qeveria hesht për mbledhjen e të ardhurave në tatime dhe dogana, duke shtuar se paratë kanë përfunduar në llogari bankare, vila me pishina e pasuri luksi të qeveritarëve dhe klientelës së tyre.

“Shifrat e qeverisë tregojnë 134 milionë dollarë defiçit në dogana e tatime në gjashtë mujorin e parë. Imagjinoni në çdo kategori, pensione, shkolla, rrugë, investime, se çfarë mund të arrihej me miliona dollarët që kanë avulluar. Pjesa kryesore e këtyre të ardhura që mungojnë vijnë nga kontrabanda dhe korrupsioni, kryesisht në fushën e duhanit dhe naftës. Qeveria i ka këto fakte. Nga një shtet fqinj janë dhënë të dhënë të hollësishme për kontrabandën e duhanit. Edi Rama hesht”, u shpreh Basha.

Sipas tij Edi Rama dhe qeveria heshtin pasi janë të përfshirë vetë në aferra korruptive. Ai e cilësoi si një klan politiko-oligarkik të lidhur ngushtë me interesa financiare, klienteliste dhe kriminale, ku qeveria përfiton.

Në vijim Basha tha se gjendja është alarmante dhe pa perspektivë me këtë qeveri, duke nënvizuar se nuk ka asnjë rreze drite për të dalë nga rrokullisja e ekonomisë shqiptare dhe se këtë gjë e ndiejnë qytetarët.

Kreu i opozitës deklaroi se kreu i qeverisë gënjeu mbarë popullin dhe më pas iku pa dhënë llogari. Sipas tij, në konferencën e fundit për mediat të Kryeministrit, u tha se ekonomia ishte në rritje.

Ai shprehet se nuk duhet humbur më kohë për të vënë në jetë platformën e opozitës për nxjerrjen e vendit nga kriza, një paketë emergjence e shpëtimit kombëtar.

“Ne kemi shpallur edhe alternativën tonë, e kemi çuar dy herë në parlament, dhe ndërkohë përgatisim një platformë të plotë për nxjerrjen e vendit nga kriza duke filluar me një paketë emergjence të shpëtimit kombëtar, për nxjerrjen e vendit nga gremina e mjerimit, e papunësisë, ku e kanë zhytur Rama-Meta.  Një raporti i 10 gushti e radhit Shqipërinë ndër 10 vendet në Evropë me çmimin më të lartë të naftës. Heqja e taksës Rama për karburantin dhe që nuk përfundon në të mira publike, është përkushtimi im kryesor dhe hapi i parë që do të hedhim për normalizimin e tregut të hidrokarbureve”, tha kreu i PD.

Ai shtoi më tej se çmimi i energjisë elektrike i cili u rrit me heqjen e fashës është një pengesë e madhe që ekonomia të gjenerojë vende pune.

Në vijim u shpreh se geqja e TVSH për mallin e shportës mbetet një emergjencë për qindra mijëra shqiptarë që sot luftojnë për bukën e gojës dhe se kjo do të japë mundësinë për një ulje 20 % të miellit, të vajit, qumështit dhe nënprodukteve të qumështit.

Sipas tij, këto piketa të platformës kërkojnë jetësimin e një kulture të re politike në vend që nis me refuzimin në mënyrë kategorike të bashkëjetesës së krimit me pushtetin.

“Të shporrim një herë e mirë personat me veprimtari kriminale nga politika. Një angazhim të vërtetë kundër korrupsionit që është rikthyer si gangrena më e zezë e dyshes Rama-Meta. Tani që u bënë dhe një herë nuse e dhëndër po i shohim si po dhëndërojnë.  Emergjenca e ekonomisë kërkon veprim të shpejtë. Ndaj alternativa jonë do të ketë një emergjencë, nuk ka kohë, nuk mund të pritet as një vit as dy vjet, shembja e dyshes së korruptuar, sepse hallet e shqiptarëve nuk presin”, deklaroi kreu i PD./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd