Transmetuar më 11-08-2015, 13:03

Tiranë, 11 gusht 2015, NOA.al- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako inspektoi masat e marra nga autoritetet policore për parandalimin e personave që synojnë statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Europian.

Nga Rinasi, kreu i Policisë së Shtetit tha se Policia Kufitare dhe të gjitha strukturat e tjera policore janë të angazhuara për të ndaluar dhe për të mos lejuar lëvizjen për qëllime azili. Çako paralajmëroi qytetarët që të mos marrin një nismë të tillë, pasi do t’u digjet mundësia për të lëvizur lirisht në vendet e zonës Shengen.

“Djegia e mundësisë së tyre për lëvizje të lirë i kushtëzon dhe një penalitet që nuk i lejon lëvizjen e mëparshme, qoftë për turizëm, qoftë për arsye të tjera”, tha Çako.

Shtetasit shqiptarë që kanë dorëzuar kërkesat për azilantë kryesisht në Gjermani, nuk kanë përdorur vetëm pikat kufitare të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera të BE-së, ku prej vitesh kanë jetuar si emigrantë. Çako apeloi që të gjithë qytetarët që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në vendet e BE-së, ta bëjnë këtë përmes procedurave ligjore.

Çako tha se në 9 muajt e fundit në vendin tonë kanë hyrë dhe kanë dalë 9 milionë persona, ku fluksi më i madh është regjistruar në muajt e verës.

“Një shifër për t’u theksuar është hyrja dhe dalja e shtetasve të huaj, që përbëjnë rreth 2.2 milionë”, tha Çako.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit garantoi se pikat kufitare janë të përforcuara dhe të vendosura për të mos lejuar abuzimet me lëvizjen e lirë.

Fjala e plotë e Drejtorit të Policisë së Shtetit

Sot jemi duke inspektuar masat e policisë në kuadër të parandalimit të lëvizjeve të qytetarëve shqiptarë për azilkërkim në Gjermani dhe në shtetet e tjera të Bashkimit Europian.

Sigurojmë se Policia Kufitare dhe e Migracionit dhe të gjitha strukturat e tjera policore në vend, janë të angazhuara për të ndaluar dhe për të mos lejuar asnjë lloj organizimi ose lëvizje për qëllim azilkëkrimi,  pasi është një proces i cili tashmë dihet qartë që nuk favorizon lëvizjen me këtë iniciativë.

Ne jemi në një bashkëpunim dhe partneritet shumë të ngushtë me autoritet policore gjermane , por edhe me të gjitha autoritet policore të Bashkimit Europpian, duke i siguruar qytetarët shqiptarë se lëvizje dhe inisiativa të tilla penalizojnë qytetarët shqiptarë , pasi djegia e mundësisë së tyre për lëvizje të lirë dhe liberalizim të vizave i kushtëzon ata dhe u krijon një penalitet që nuk i jep mundësinë e lëvizjes së më pasme , qoftë për arsye turizmi apo për arsye të tjera.

Por i sigurojmë se për  çdo mundësi e cila është bazë ligjore dhe në përputhje të plotë  me memorandumet dhe aktmarrëveshjet e qeverisë shqiptare për të krijuar mundësi punësimi të ligjshme , duke krijuar edhe bazën e nevojshme për të mos qëndruar nëpër kampe , për të mos qenë pjesë e denigrimit familjar ose personal të tyre , do t’ju  krijomë të gjitha mundësitë dhe lehtësirat për të udhëtuar të qetë , konform të gjitha rregullave që ka vendosur Bashkimi Europian dhe të gjithë mundësisë që përmban vetë liberalizimi i vizave.

Ndonëse një pjesë e konsiderueshme e shtetasëve shqiptarë nuk i përkasin vetëm daljeve nga pikat e kalimit të kontrollit kufitar nga Shqipëria , por i përkasin edhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian , ku shtetas shqiptarë  të ndryshëm prej vitesh kanë qenë resident dhe  kanë punuar,  por për shkak të ndryshimit ose situatave të caktuara financiare dhe ekonomike  kanë humbur vendet e punës dhe i drejtohen Gjermanisë ose vendeve të tjera për azilkërkim, ne  i bëjmë thirrje që të gjithëve që t’i nështrohen procedurave ligjore për lëvizje të tilla, duke mos humbur këtë mundësi por edhe duke mos krijuar një imazh që nuk i përket shtetasëve shqiptarë.

Sot Shqipëria është një nga destinacionet më të preferuara , më të frekuentuara , më antraktive , qoftë në aspektin e turizmit por edhe në mundësi të tjera të investimeve ekonomike , pasi vetëm për periudhën 6 mujore dhe 9 mujore të këtij viti, sidomos për periudhën pik të sezonit turistik , Shqipëria është vizituar nga rreth 9 miljonë qytetarë të ndryshëm që kanë hyrë dhe kanë dalë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në të gjithë vendin.

Vlen të theksohet se një shifër shumë e rëndësishme është hyrja dhe dalja e shtetasve të huaj të cilët kapin shifrën prej 2.2 miljonë , të cilët kanë ardhur në Shqipëri për interesa të ndryshme , qoftë turistike por edhe për aspekte të tjera të investimit por edhe të bashkëpunimit.

Së fundi dua të siguroj edhe një herë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj se të gjitha pikat e kalimit të kontrollit kufitar në Shqipëri , janë të përforcuara dhe të monitoruara me masa të rrepta pasi ne asistohemi dhe jemi në bashkëpunim në një sërë projektesh të Bashkimit Europian , si në bashkëpunim me Pameca , Frontex , Osce, e Icitap, por me të gjithë partnerët tanë , të cilët janë partner të fuqishëm në konsolidimin e objektivave dhe stabilitetin e Policisë Shqiptare.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd