Transmetuar më 10-08-2015, 16:06

Zbulohen detaje të reja lidhur me vdekjen e vajzës së këngëtares Whitney Houston, Bobbi Kristina Brown. Siç shkruan revista e përjavshme “People”, i fejuari i Bobbi Kristina Brown, Nick Gordon, akuzohet se i ka shkaktuar asaj vdekjen, pasi i ka dhënë një cocktail toksik.

Gordon ishte denoncuar më herët nga familjarët e së resë, për abuzime dhe dhunë ndaj saj. Nick akuzohet se i ka dhënë një pije Bobbit e cila i ka shkaktuar humbjen e ndjenjave.

Pasi kishte hyrë në vaskën e banjës Bobbi Kristina, nuk ka qenë në gjendje që të ngrihej, por mbeti e bllokuar njëlloj si nëna e saj Whitney Houston.

Bedelia C. Hargrove, e ngarkuara e gjykatës për të zbardhur rrethanat në të cilat vdiq vajza e Whitney Huston, deklaroi se, “Do vijojmë të bëjmë drejtësi për të. Bëra një denoncim kundër Nicholas Gordon, i akuzuar për vrasje me dashje dhe se i ka shkaktuar dhimbje dhe vuajtje Bobbit”.

Sipas rindërtimit të ngjarjes Gordon duket se kishte shkuar në shtëpinë e Brown në orën 6 të mëngjesit të 31 janarit. Pasi kishte hyrë në shtëpi, Gordon kishte përgatitur një cocktail toksik për të fejuarën dhe ja kishte dhënë gjatë kohës që ajo ishte në dush. Më pas ka shkuar në dhomën e gjumit me një tjetër femër, gjatë kohës që e fejuara e tij ishte pa ndjenja në banjë.

15 minuta më vonë Brown u gjet me gojën e mbushur me ujë. Bobbi Kristina Brown u gjet pa ndjenja dhe përfundoi në gjendje kome në 31 janar, ndërsa ndërroi jetë në 26 korrik në moshën 22 vjeçare, pasi qëndroi për gjashtë muaj në koma farmacologjike./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd