Transmetuar më 10-08-2015, 15:52

Tiranë, 10 gusht 2015, NOA.al- Ish-Kryeministri Sali Berisha, thotë se një pilot gjerman është arrestuar sepse tmerroi Kryeministrin Edi Rama, pasi rrugës për në Greqi fluturoi në lartësi mbi jahtin e tij.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Berisha thotë se dje u arrestua në Rinas, pasi u kthye nga fluturimi në Greqi, Korfuz, piloti gjerman i një helikopteri taksi të një kompanie të licensuar private.

Sipas tij, shkaku i arrestimit te pilotit gjerman në Rinas, menjëherë pas kthimit nga udhëtimi në Korfuz, doli se ishte urdhri i Edi Ramës sepse piloti në zbatim të kursit të përcaktuar nga kontrolli ajror i vendit kishte fluturuar mbi det, ndonëse në lartësi, mbi jahtin me të cilin po shëtiste Rama.

Ai thotë se Rama ishte tmerruar dhe e kishte marrë fluturimin mbi jaht si një akt të qëllimshëm.

“Madje për një moment ai mendoi, si në rastin e Reformatos së tij, se këtë helikopter e ka dërguar të fluturojë mbi kokën tij Berisha. Natyrisht “çunat e krimit” që arrestuan pilotin gjerman nuk i thanë atij se na e tmerrove Edvinin por i thanë se e arrestonin në emër të Edvinit pasi ka shqetësuar shumë me fluturimin e tij mbi zonën ku pushonte Edi Rama!!”, shkruan Berisha.

Ai e cilëson si një akt të turpshëm dhe të dënueshëm, ku sipas tij njerëzit ndalohen apo arrestohen jo për shkak të ligjit, por gjendjes psiqike të kryepolicit të vendit./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd