Transmetuar më 10-08-2015, 11:58

Tiranë, 10 gusht 2015, NOA.al- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vulosi sot me shtatë vota pro dhe asnjë kundër, rezultatin final të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit, duke shpallur fitues koalicionin e majtë.

Në përfundim të mbledhjes, kryetarja e KQZ, Lefterije Luzi deklaroi për mediat se KQZ certifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve duke përmbyllur procesin zgjedhor të 21 qershorit.

Ajo tha se u miratua numri i votave të fituara nga çdo subjekt në shkallë kombëtare, bazuar në rezultatin e votave të fituara nga çdo subjekt zgjedhor në votimin për këshillat e qeverisjes vendore.

“Procesi i votimit, si një nga momentet më kulmore të procesit zgjedhor, nisi normalisht dhe i qetë, pothuaj në të gjitha qendrat e votimit, dhe dita e zgjedhjeve u zhvillua në mënyrë paqësore në të gjithë vendin (i vlerësuar si i tillë, nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MNVZ), në Deklaratën e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake të OSCE/ODIHR të datës 22 qershor 2015), falë kjo dhe qytetarisë dhe përgjegjësisë së treguar nga votuesit  shqiptarë”, u shprhe kryetarja e KQZ.

Ajo nënvizoi se pa probleme të cilat mund të cenonin procesin zgjedhor kaloi edhe faza e dorëzimit të materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit në Vendet e Numërimit të Votave, duke u finalizuar me numërimin e votave në një kohë shumë më të shkurtër krahasuar me zgjedhjet e shkuara pavarësisht se në këto zgjedhje numëroheshin dy fletë votimi, ajo për zgjedhjet për kryetar dhe ajo për zgjedhjet për këshillin bashkiak.

Luzi deklaroi se procesi në përgjithsi eci normalisht, dhe me një ritëm të kënaqshëm falë teknologjisë mbështetëse të përdorur, dhe në raste problematike është ndërhyrë nga KQZ me vendimarje dhe njëherazi duke dërguar inspektorët e vet në terren.

Më tej u shpreh se KQZ, duke qenë i ndërgjegjshëm për sfidat që një proces zgjedhor mbart, në vazhdimësi do të vlerësojë e rivlerësojë me shumë seriozitet çdo moment të punës së Institucionit, bazuar kjo edhe në raportin e OSBE/ODIHR.

Ajo vlerësoi se ndryshe nga zgjedhjet e kaluara funksionimi i plotë i trupës së KQZ-së kontribuoi në funksion të ngritjes së një infrastrukture zgjedhore korrekte, transparente dhe të besueshme nga të gjitha palët në proces.

Sipas saj, KQZ si organi më i lartë përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve, ka punuar intensivisht për përgatitjen e procesit shumë kohë para se të dekretohej data e zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Luzi tha se këto përgatitje ndikuan që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor, të organizonin zgjedhje të lira, me standarde dhe të gjithëpranuara nga palët.

Si një nga prioritet e KQZ-së, ajo tha se ishte fushata edukuese, sensibilizuese dhe informuese përmes një strategjie të mirëmenduar u realizua me efikasitet duke ndikur në rritjen e pjesëmarrjes së zgjedhësve në ditën e votimit.

Ajo përmendi si risi faktin se për herë të parë, KQZ prodhoi maska me shkrimin brail, “shablloni”, mjetet ndihmëse për zgjedhësit e verbër të votuan vetë pa ndihmësit e tyre, duke garantuar fshehtësinë e votës së tyre.

Po ashtu bëri me dije se KQZ përgatiti në kohë bazën nënligjore, u miratuan 5 akte me karakter normativ rregullues dhe 964 akte të tjera nënligjore.

Sipas kryetares së KQZ, u konstituuan në kohë rekord brenda një dite të 90 Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor.

Në vijim shtoi se në funksion të zgjedhjeve të 21 qershorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, realizoi me sukses katër projektet elektronike, duke rritur informacionin dhe transparencën për publikun, median dhe subjekteve zgjedhore, që garuan në zgjedhjet vendore.

Në funksion të transparencës maksimale për të gjitha partitë politike, tha ajo KQZ pajisi me sistem kamerash sigurie, ambientet e magazinave në Lundër ku admnistrohen materialet zgjedhore dhe fletët e votimit.

Në vijim Luzi deklaroi se të gjitha subjektet e interesuara, u pajisen me të dhënat e nevojshme për tu aksesuar në sistem për të ndjekur online 24 orë në 7 ditë të javës, të gjithë aktivitetin në këto ambiente.

Ndër të tjera ajo tha se KQZ ka bërë të mundur përgatitjen e një aplikacioni për krijimin e hartës së Shqipërisë me një informacion mjaft të detajuar mbi vendndodhjen dhe kufijtë të 61 bashkive, Qendrat e Votimi, Zonat e Administrimit Zgjedhor, bashkitë, njësitë administrative përbërëse, e të tjera.

Në këtë linjë shtoi se projekti pilot për dërgimin e informacionit të ditës së votimit nga QV-të direkt në KQZ, duke shtuar se ky projekt pilot u aplikua në dy bashki relativisht të vogla, Sarandë deh Pukë, me jo më shumë se 100 QV dhe u mbështet nga UNDP dhe KQZ-së së Kosovës.

Më tej ajo shtoi se projekti pilot synoi që ditën e zgjedhjeve të marrë informacionin direkt nga QV në KQZ në rrugë elektronike, përfshirë dhe pjesmarrjen në votime, në orë të caktuara.

Në mbledhjen e ditës së sotme KQZ vendosi që t’iu japë para shtesë 15 partive të cilat kanë marrë më tepër vota nga pritshmëria.

Gjithashtu për shkak të rezultatit të dobët, KQZ u ka kërkuar 46 partive të tjera që të kthejnë paratë mbrapsht brenda 30 shtatorit të këtij viti./a.y/noa.al

Mbledhja e plotë e KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së shotme shqyrtoi dhe miratoi:

-Projekt-vendimin, “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015”. KQZ vendosi të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21.06.2015:

Rezultatin e votimit për kandidatët për kryetar bashkie të cilët janë zgjedhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë në zonat zgjedhore përkatëse.

-Numrin e votave të fituara nga secili subjekt në shkallë kombëtare, bazuar në numrin e votave të fituara nga ccdo subjekt zgjedhor në votimin për këshillat e qeverisjes vendore.

-Projekt-vendimin, “Për miratimin e strukturës së buletinit për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të datës 21 qershor 2015”.

-Projekt-vendimin, “Për shpalljen e rezultatit të shortit për emërimin e ekspertëve kontabël të licensuar, të cilët do të kryejnë auditimin e fondeve të përftuara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për fushatën zgjedhore, për zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21.06.2015, si dhe për fondet e përftuara dhe të shpenzuara nga partitë politike për vitin kalendarik 2014”. KQZ miratoi rezultatin e shortit dhe emëroi ekspertët kontabël të cilët do të auditojnë subjektet zgjedhore  për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore 2015, si dhe miratoi rezultatin e shortit dhe emëroi ekspertët të cilët do të auditojnë partitë politike për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për vitin kalendarik 2014.

-Projekt-vendimin, “Për caktimin e sasisë së fondit publik që do t’u shpërndahet partive politike pjesmarrëse në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore 2015”. KQZ vendosi miratimin e listës  së partive politike që përfitojnë fonde sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të datës 21 Qershor 2015. Gjithashtu, KQZ  miratoi listën e partive politike që duhet të kthejnë fonde sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të datës 21 Qershor 2015, deri më datën 30 Shtator 2015.

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd