
Tiranë, 9 gusht 2015, NOA.al- Zëvendësministri i Financave, Erjon Luçi nëpërmjet një deklaratë për shtyp ka sqaruar diskutimet e ditëve të fundit në lidhje me tatimin mbi të ardhurat personale.
Ai ka theksuar se, nuk ka ndryshim në skemën e tatimit e të ardhurave personale dhe nuk ka asnjë plan për ndonjë ndryshim të mundshëm në këtë drejtim.
Sipas tij, “reforma përsa i përket politikës të taksave tashmë ka përfunduar në përputhje me premtimin elektoral dhe programin e qeverisë. Fokusi kryesor për zgjerimin e të ardhurave buxhetore do të mbetet lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, përmirësimi i eficiencës dhe i administrimit tatimor dhe doganor”.
Zëvendësministri i Financave u shpreh se, “në mes të korrikut janë mobilizuar në të gjitha qytetet 500 punonjës të rinj pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me synim kryesor ndërgjegjësimin për parandalimin e evazionit fiskal dhe informalitetit. Kjo i paraprin një aksioni më të gjerë të luftës kundër informalitetit që përfshin një paketë të plotë masash që do të prezantohet shumë shpejt.” /e.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





