Transmetuar më 08-08-2015, 16:08

Shkodër, 8 gusht 2015, NOA.al- Policia e Shkodrës ka bërë të mundur arrestimin e shtetasit Bahri Malaj, 30 vjeç, banues në Shkodër, sepse ka shkelur ligjin dhe ka kundërshtuar forcat e policisë, duke iu rrezikuar këtyre të fundit edhe jetën.

Policia informon se arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi  është kapur në vendin e quajtur “Ura e Mesit”, në Shkodër duke drejtuar mjetin kamion “Benz”, me targe AA274HZ, të ngarkuar me një sasi lëndë drusore për të cilën nuk dispononte dokument shoqërues të lëndës drusore dhe se e drejtonte këtë mjet pa pasur lejen e drejtimit te klasit përkatës për këtë kategori mjeti.

Gjithashtu, në momentin kur patrulla e Policisë ka qenë duke e shoqëruar në Komisariat, ka ngritur me krik karrocerinë e mjetit duke hedhur dhe shpërndarë një sasi lënde drusore në rrugë duke u bërë pengesë për lëvizjen e mjetit të Policisë dhe duke vënë në rrezik jetën e  punonjësit e Policisë.

Gjithashtu Policia e Shkodrës ka bërë të mundur edhe arrestimin e shtetasit Isuf Lumaj, 53 vjeç, banues në Shkodër.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në momentin kur shtetasi Bahri Malaj ka qenë duke marrë mjekimin në spitalin Rajonal Shkodër, për shkak të një operacioni në vesh të kryer disa kohe me përpara, ka tentuar te godasë, ka sharë dhe fyer punonjësit e Policisë që kanë bërë shoqërimin e shtetasit Bahri Malaj.

Policia ka hedhur poshte pretendimin e të arrestuarit Bahri Malaj, se punonjësit e Policisë gjatë shoqërimit të tij për në ambientet e Komisariatit të Policisë kanë ushtruar dhunë ndaj tij. Uniformat blu theksojnë se, në asnjë moment nga asnjë punonjës Policie nuk është ushtruar dhunë ndaj këtij shtetasi.

Po, thekon Policia në njoftimin e saj, në lidhje me pretendimet e të arrestuarit për dhunë nga Policia, shërbimi i çështjeve të brendshme dhe ankesave ka nisur verifikimet.

Gjithashtu uniformat blu saktësojnë se, në kartelën mjekësore të hapur në Spitalin Rajonal të Shkodrës për këtë shtetas nuk ka asnjë evidentim nga mjekët për ushtrim dhune nga ana e Policisë.

Por ky shtetas është paraqitur në spital për shkak të shqetësimeve të ardhura si pasojë e një operacioni të kryer me parë.

Theksojmë faktin se sjellja e tij ndaj policisë si dhe e familjareve te tij ka qenë shumë agresive duke fyer dhe kundërshtuar punonjësit e Policisë, por punonjësit e Policisë në asnjë rast nuk kanë tejkaluar kompetencat e ushtrimit të detyrës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër në ngarkim te shtetasit Bahri Malaj për veprat penale "Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt", si dhe "Kundërshtim i forcave të Policiseë" dhe "Prerje e paligjshme e pyjeve", parashikuar nga nenet 291, 236 dhe 205 te Kodit Penal, si dhe në ngarkim të shtetasit Isuf Lumaj për veprën penale "Kundërshtim i forcave të Policisë", parashikuar nga neni 236 të Kodit Penal.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd