Transmetuar më 06-08-2015, 20:03

Shkup, 6 gusht 2015, NOA.al-Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, z.Menduh Thaçi, ka zhvilluar sot një takim të përbashkët me Ambasadorin e SHBA Xhes Bejli në Shkup dhe me Ambasadorin  e BE-së  Aivo Orav.  Në takim është biseduar për situatën politike në vend, si dhe për zhvillimet në dialogun midis partive politike që lehtësohet nga SHBA dhe BE.

Kryetari Thaçi shprehu shqetësimin për shkeljen e mundshme të afateve për zbatimin e marrëveshjes së 2 Qershorit, duke theksuar se të tre partitë që do të jenë në qeverinë kalimtare po tregohen jo serioze. Kryetari Thaçi gjithashtu theksoi domosdoshmërinë për ti marrë parasysh 7 pikat të paraqitura nga PDSH-ja në bisedime, e që janë: Pozita juridiko-kushtetuese e shqiptareve në Maqedoni; vendimmarrja konsensuale; ndarja e drejte dhe proporcionale e buxhetit të shtetit; zyrtarizimi i gjuhës shqipe; ndarja e re territoriale; de-etnizimi i simboleve shtetërore ( flamuri, himni, stema), si dhe njeri prej tre posteve kryesore në shtet (Kryeministri, Presidenti, Kryetari i Kuvendit) t’u takojë shqiptarëve. /e.gj/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd