Transmetuar më 06-08-2015, 15:29

Tiranë, 6 gusht 2015, NOA.al- Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e arrestit për dy shtetasit, të cilët do të vrisnin një emigrant shqiptarë. Pas shqyrtimit të fakteve të paraqitura nga prokuroria, gjykata ka vendosur masën arrest me burg për 29-vjeçarit Julian Shorja dhe detyrim paraqitje për të fejuarën e tij, 26-vjeçares Riviola T.

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për të konsideruar të ligjshëm arrestimin në flagrancë nga ana e Policisë së shtetasit J. Shora, i dyshuar për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve për vrasje” e “kultivim të bimëve narkotike”, si edhe shtetases R. Toma, e dyshuar për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”. Në përfundim të seancës për vlerësimin e arrestit, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për J. Shora dhe “detyrim paraqitje” për R. Toma.

Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se:

Në kuadër të veprimtarisë së saj parandaluese, Policia e Shtetit ka marrë informacion se shtetasi J. Shora po përgatiste një minë me telekomandë (me lëndë ekspozive C4) për llogari të një personi tjetër, kundrejt pagesës. Për të parandaluar këtë veprimtari të dyshuar kriminale, nga ana e Policisë së Shtetit është ushtruar kontroll në shtëpinë e shtetasit Shora,

Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan si provë materiale dy kapsolla detonatore, një fishek model 54, kal 7.62 mm, një fishek kalibër 6. 35 mm dhe një rrënjë bimë e ngjashme me lëndë narkotike, të dyshuar cannabis sattiva e mbjellë në një vazo, brenda banesës.

Po kështu, gjatë kontrollit të banesës së shtetases R. Toma, u sekuestruan katër rrënjë bimë, të ngjashme me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sattiva, të mbjella në vazo.

Nga hetimet e deritanishme, ka dyshime se shtetasi Shora, në verën e vitit 2014 ka siguruar një lëndë plasëse dhe detonatore elektrike kundrejt shumës 1 000 euro, me porosi të një personi tjetër. Po kështu gjatë muajit maj të vitit 2015, ka dyshime se është kontaktuar nga një person, i cili iu prezantua si i njohur tij. Me këtë person, është takuar në Kombinat në një lokal.

Ky person i ka kërkuar shtetasit Shora që t’i sigurojë lëndë plasëse, me pretendimin se lënda plasëse e marrë vitin e kaluar nuk ka shpërthyer. Në këtë mënyrë, ky person duket se i ka përmendur në mënyrë indirekte se ishte “në borxh” për faktin se herën e parë lënda plasëse nuk kishte shpërthyer.

Nga veprimet e deritanishme parandaluese, rezulton se shtetasi ende i papërcaktuar, i njohur deri tani me inicialet SH.O., këtë lëndë plasëse e donte për t’ia vendosur një personi, që kishte lidhje dashurore me bashkëshorten e tij. Sipas dyshimeve, lënda plasëse duhej të përgatitej dhe të vendosej nga i dyshuari Shora dhe për këtë veprim, ai do të paguhej në shumën 10 mijë euro.

Duke qenë se ka qenë në borxh me këtë person, i dyshuari Shora duket se ka pranuar të veprojë sipas porosisë, por nuk ka arritur të përfundojë ndërtimin e minës me telekomandë.

Po ashtu, gjatë kontrollit policor, në shtëpinë e tij u gjet një rrënjë bime narkotike e dyshuar si cannabis. Gjithashtu, 4 rrënjë të dyshuara si të tilla janë gjetur të mbjella në shtëpinë e shtetas R. Toma, për të cilat ka dyshime se janë mbjellë nga i dyshuari Shora.

Për këtë arsye, ndërkohë që po kryhen veprimet e nevojshme proceduriale në kuadër të këtij hetimi, në këtë fazë paraprake, ndaj shtetasit Shora janë krijuar dyshime se ka kryer veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për vrasje” dhe “kultivim i bimëve narkotike”. Ndërsa ndaj shtetases R. Toma janë krijuar dyshime se ka kryer veprën penale “kultivim i bimëve narkotike”.

Shorja do merrte 10 mijë euro për të vrarë emigrantin, zbulohen detajet e porosisë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd