
Krujë, 6 gusht 2015, NOA.al- Vihet në pranga njëri nga të dyshuarit si autor i vrasjes së trefishtë të ndodhur në Thumanë të Krujës në fillim të muajit qershor.
Në orët e para të ditës së sotme është arrestuar i shumëkërkuari Pëllumb Kora, 26 vjeç.
Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Krjës ka caktuar si masë sigurimi “Arrest me burg” në mungesë, për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje të armëve municioneve luftarake”.
Pëllumb Kora akuzohet se bashkë me dy vëllezërit dhe babanë e tyre kanë vrarë me armë zjarri tre anëtarë të një familje, Fran Ceku 79 vjeç, Arben Ceku 44 vjeç, babë e bir, si dhe nipi i tyre Eno Rama 18 vjeç.
Si ndodhi ngjarja
Të dyshuarit si vrasës, pjesë e familjes Kora natën e 5 qershorit i kanë thirrur të dalin në portën e shtëpisë viktimat e familjes Ceku, duke i ekzekutuar një nga një. Mësohet se gjithçka ka ndodhur rreth një orë pas konfrontimit fizik që kanë pasur në një nga lokalet e Thumanës me 44-vjeçarin Arben Ceku për sherrin që dy pjesëtarë të familjes Kora kanë pasur me një shofer, mik me 44-vjeçarin, rreth një muaj më parë.
Ata kanë shkuar në banesën e viktimave dhe duke i thirrur nga jashtë, kanë ekzekutuar Arbenin të parin dhe më pas familjarët e tij.
Mësohet se krimi e ka origjinën rreth një muaj më parë ku dy prej vëllezërve Kora kanë rrahur një shofer, shok me viktimën Arben Ceku. Viktima Arben Ceku i kthyer disa ditë më parë nga Italia ka takuar në një lokal anëtarët e familjes Kora për të sqaruar ngjarjen, por debati ka degjeneruar në një konflikt fizik, por pas kësaj janë ndarë.
Pas kësaj 44 vjeçari ka shkuar në në shtëpi, ku pak më vonë nuk kanë ngurruar të mbërrijnë autorët e krimit, të cilët i kanë thirrur dhe kanë shkrepur armët mbi të dhe tre familjarët e tjerë./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





