




Në Shqipëri, lajm kryesor i orëve të fundit u bë dyshimi se deputeti demokrat Sali Berisha, ka takuar Osama bin Laden në Tiranë, kur ishte President i Republikës.
Dyshimi u publikua një ditë më parë në disa media ndërkombëtare. Ato sugjerojnë se Osama Bin Laden ka qëndruar në Shqipëri gjatë kohës kur Sali Berisha ka qenë president dhe madje është takuar me të. Plani sipas një dokumenti të publikuar në media, ishte që Berisha të mbyllte dhe një takim të bin Laden me ish kryeministrat Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçi.
Lajmi dhe dokumenti i publikuar, mohohen nga ish presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha.
Për të “ky lajm eshte nje trillim banal dhe i paskrupullt i perhapur shume vite me pare nga mediat greke, serbe dhe media te tjera pa asnje bazë”.
Berisha thotë se ka pasur një vizitë nga përfaqësues të Arabisë Saudite 20 vjet më parë, por bin Laden nuk ishte pjesë e delegacionit.
“Në delegacionin zyrtar te nivelit te larte të Mbretërisë së Arabise Saudite qe ka vizituar vendin tonë ne vitin 1995, apo rast tjeter, Osama bin Laden nuk ka shkelur kurre ne Shqiperi.”- thotë Berisha.
“Ky pretendim eshte tejet qesharak edhe per faktin boterisht te njohur se asokohe, dinastia Sudite ishte shpallur nga Osama bin Laden si nje armike per t’u permbysur per shkak te politikes dhe lidhjeve te ngushta te saj me SHBA”, – shton Berisha.
Ai thotë se Shqiperia ne vitet 1992-1997 ka dhene nje kontribut thelbesor, “më të madh se çdo vend tjeter i rajonit por dhe me gjere, ne luften kunder terrorizmit ne bashkepunim te ngushte me agjensite inteligjente te vendeve partnere”.
Në vitet ’90 një numër i madh shtetasish arabë erdhën në Shqipëri në kuadrin e ndihmës për rimëkëmbjen e fesë myslimane pas shumë vitesh ndalimi të religjioneve me ligj, si dhe për të ndihmuar jetimët e familjet e varfra.
Shërbimet sekrete shqiptare në bashkëpunim me homologë të SHBA dhe Europës, kanë kryer disa operacione për arrestim të personave që kërkoheshin si të lidhur me aktivitet terrorist. Në vitet 1995-1999 ka pasur disa operacione të tilla në Tiranë, Elbasan, etj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





