
Telekom Albania ka shpallur 12 fituesit e fushatës “Connected Europe”, të cilët kanë mundësinë të udhëtojnë çift në një nga vendet evropiane që ata vetë kanë zgjedhur. Aplikimet u pranuan nga data 3-23 korrik në faqen zyrtare të Telekom Albania në Facebook dhe ishte e hapur për të gjithë publikun. Çdo përdorues i Facebook mjaftonte të aksesonte aplikacionin “Connected Europe” dhe aty të zgjidhte eksperiencën që dëshironte të përjetonte dhe natyrisht personin me të cilin do t’i ndante çastet e paharruara.
Fituesit do të shijojnë peizazhin nga kalaja Devin në Sllovaki, si dhe bukuritë e Londrës, do të vizitojnë shtëpinë muze të Nënë Terezës në Shkup dhe ishullin e Santorinit në Greqi.
Ata që pëlqejnë emocionet e forta kanë zgjedhur të vizitojnë stadiumin Allianz Arena në Mynih apo të marrin pjesë në koncertin e “Electronic Beats” në Zagreb, Bukuresht dhe Budapest.
Të tjerë fitues do të prekin nga afër mrekullitë e qyteteve të njohura si Vjena, Amsterdami dhe Varshava. Secili nga fituesit ka përfituar falas udhëtimin, qëndrimin, si edhe vizitë në pikat më të vizituara të destinacionit të përzgjedhur. Ata mund ta përdorin këtë mundësi deri në muajin tetor 2015.
“Falënderoj Telekom Albania, që përmes kësaj loje në media sociale bëri të mundur udhëtimin tim në Angli. Një udhëtim si ky e kam ëndërruar prej kohësh. Ndihem vërtet shumë i lumtur. Bëra një aplikim shumë të thjeshtë dhe më pas më lajmëruan se kisha fituar. Kjo është fantastike”, u shpreh Viktor Ndoj, njëri prej fituesve.
Ndërsa një tjetër fitues, Gjergj Dallënga, shprehet se “nuk po arrija ta besoja kur më erdhi njoftimi se kisha fituar. Falënderoj nga zemra Telekom Albania, për mundësitë që na jep herë pas here përmes organizimeve të ndryshme.”
Ashtu siç ishte lajmëruar, përzgjedhja e fituesve të “Connected Europe” është bërë në mënyrë elektronike, bazuar në një algoritëm me përzgjedhje rastësore.
Telekom Albania, si pjesë e familjes së Deutshe Telekom, do të vazhdojë të ofrojë mundësi të shumta për publikun, në mënyrë që secili të ndihet pjesë e rrjetit që i lidh me Europën.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





