Transmetuar më 05-08-2015, 15:59

Tiranë, 5 gusht 2015, NOA.al- Partia Demokratike reagon ndaj vdekjes së një minatori në minierën e kromit në Has.

Deputeti Alban Zeneli në një dalje të sotme nga selia blu se shprehu sot ngushëllimet e Partisë Demokratike për humbjen e jetës së Maxhun Aliajt, teknik në minierën e kromit në Has dhe plagosjen e katër punonjësve të tjerë.

“Jemi pranë familjeve të viktimës dhe të lënduarve në këtë ditë të vështirë por duam gjithashtu të denoncojmë faktin se kushtet në minierat tona janë përkeqësuar dhe qeveria ka braktisur minatorët. Kjo ngjarje e rëndë ndodhi vetëm një javë pas humbjes së jetës së një tjetër minatori në Bulqizë. Partia Demokratike denoncon lënien e minatorëve në mëshirë të fatit pa minimumin e kushteve të sigurisë”, u shpreh deputeti demokrat.

Ai tha se pas dy vitesh qeverisje të Edi Ramës kemi sot numrin më të madh të minatorëve që kanë humbur jetën apo janë plagosur në kushtet e vështira të punës së nëntokës në dy dekada të marra së bashku.

Zeneli deklaroi se 24 minatorë kanë humbur tragjikisht jetën dhe ashtu si herën e kaluar, kryeministri i vendit nuk ka gjetur sërish kohën të shprehë as ngushëllime për familjen e viktimës më të fundit në Has.

Sipas tij, Edi Rama mashtroi minatorët për kushte më të mira pune dhe për paga më të mira, duke shtuar se ai premtoi shumë për minatorët dhe doli se thjesht i shfrytëzoi ata për fushatë, për të ardhur në pushtet, më pas u ktheu kurrizin.

Ai tha në mbyllje se Edi Rama mashtroi minatorët, siç ka mashtruar shumicën e shqiptarëve për taksat, punësimin, shëndetësinë e çdo aspekt të jetës./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd