Transmetuar më 05-08-2015, 13:42

Tiranë, 5 gusht 2015, NOA.al- Deputeti demokrat Genc Pollo dhe ai socialist Arben Ndoka përplasen me akuza nga më të rëndat në Facebook.

Gjithçka ka nisur pas postimit të deputetit demokrat, Genc Pollo, në profilin e tij në Facebook, të dosjes së bërë mediatike, të deputetit socialist, Arben Ndoka. Dosja e publikuar sugjeron se ai ka detyruar të prostituojë të fejuarën e vëllait dhe akuzohet se ka qenë i dënuar në Itali nga gjykata e Romës për trafik të qenieve njerëzore.

Me një gjuhë të ashpër ka reaguar deputeti i majtë Arben Ndoka, i cili e akuzon ligjvënësin e djathtë për lidhje me vjehrrën dhe më keq akoma, se përdor gruan duke "e ndarë me kolegët".

Ai shkruan poshtë postimit të Pollos: “Pse nuk kishe postuar edhe mesazhet që i kishe me vjehrrën? Mesazhet që i kishe dërguar vjehrrës nëpërmjet e-mail, me të cilat u zbulua marrëdhënia intime që kishe me të?! Mos u merr me mua o injorant, po ruaj familjen tënde që të është bërë si porta e Brazilit në kampionatin botëror që sapo kaloi. Meqenëse gruaja e parë të iku, ruaj këtë të dytën mos e ndaj me kolegët e tu. Të gjithë e dinë këtë fakt, përveç teje. Ose mbase e di dhe ti vetë, po mbase të pëlqen kjo gjë se je pervers. Ti je një njeri pa pikë morali. Njeri që shkon me vjehrrën, ndan gruan me kolegët e tu, etj, etj..”.

Përballë këtyre komenteve deputeti demokrat e ka fshirë gjithë postimin.

Reagon PD

Partia Demokratike ka reaguar ndaj këtij konfrontimi online duke thënë se deputeti i Edi Ramës, Arben Ndoka ka sulmuar në mënyrë primitive, me fyerje rrugë e me tone banditësh deputetin Genc Pollo pasi përfaqësuesi i Partisë Demokratike ka postuar në rrjetin social faktet e inkriminimit të tij.

Partia Demokratike e dënon ashpër këtë agresion të cilin e cilëson të pashembullt, të deputetit të majtë, që sipas kësaj partie është i dënuar për trafik prostitucioni e rrëmbim personi.

Partia e Pollos shton më tej se, i zgjedhuri i Partisë Socialiste ka bekimin e Edi Ramës për sulmet që bën ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe ai është përsëritës në këtë drejtim.

Në vijim nënvizohet se këto janë grahmat e fundit të krimit në parlament e në politikë, pasi Partia Demokratike do ta çojë deri në fund procesin e dekriminalizimit me mbështetjen e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Akti rrugëçëror i deputetit të Ramës është një vërtetim më shumë për nevojën urgjente të pastrimit të politikës nga soji i Ndokës. Ai u përzgjodh nga shefi i tij për të sulmuar opozitën dhe po e mbyll karrierën e inkriminuar duke sulmuar opozitën. Ky është niveli banal ku e ka çuar parlamentin Edi Rama. Me njerëz që nuk njohin asnjë vlerë të demokracisë të debatit e fakteve, por njohin vetëm gjuhën e dhunës e të agresionit”, thotë PD.

Në mbyllje deklarohet se Edi Rama nuk e ndalon dot dekriminalizimin me kërcënime të tilla dhe se Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë ta çojë deri në fund këtë proces jetik për vendin./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd