
Tiranë, 5 gusht 2015, NOA.al- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me 24 drejtuesit e njësive administrative në kryeqytet.
Ai tha se i vjen mirë që gjatë fazës së tranzicionit të bashkisë, nuk ka pasur boshllëk dhe ndërprerje të shërbimeve.
Deklarata e tij u dha nga Bashkia, ku administratorët e 24 njësive që përbëjnë Bashkinë e re të Tiranës i janë nënshtruar sot një trajnimi nga përfaqësuesit e Ministrisë së Shtetit për Çështjet Vendore dhe Agjencia Për Pushtetin Vendor për t’u njohur me kompetencat e tyre në bazë të reformës territoriale.
Veliaj ka shprehur kënaqësinë që faza e trazicionit dhe përshtatja e njësive të reja administrative sipas përcaktimeve të reformës territoriale kaloi me sukses, ndërsa qytetarët nuk u ka munguar asnjë shërbim që më parë ofroheshin nga minibashkitë apo komunat.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj u ndal edhe te aksioni për pastrimin e Tiranës, duke kërkuar nga administratorët që të rrisin kërkesën e llogarisë për të gjithë operatorët që janë kontraktuar për këtë shërbim, në mënyrë që ai të shtrihet në gjithë Tiranën, nga fshatrat më të thella deri në qendër të qytetit.
“Duhet ta pranoj se përgjigja fillestare ka qenë mbresëlënëse, çka tregon se me pak kërkesë llogarie, rrugët mund të pastrohen, mund të lahen dhe plehrat mblidhen. Ndaj do të doja që të vijojmë me rigorozitetin e javës së parë, për t’u siguruar që të fitojmë betejën me plehrat në të gjitha njësitë”, tha ai.
Kryebashkiaku njoftoi se në 4 shtator bashkia do të udhëheqë një aksion të madh për pastrimin e Tiranës, ku veç operatorëve dhe burimeve të bashkisë, do të ftohen edhe qytetarët apo strukturat e tjera shtetërore që kanë kapacitete në përballimin e situatave të tilla.
“Dua të ftoni të gjithë qytetarët që në datën 4 shtator të kemi një aksion të madh për pastrimin e Tiranës. Secili prej jush do të drejtojë shtabin e pastrimit në njësinë tuaj. Do i ndani në blloqe, me rrugë, ku e gjithë administrata do drejtojë një ekip të caktuar. Do të na bashkohet edhe ushtria për të hequr inertet”, u shpreh Veliaj.
Një tjetër porosi që ai u la administratorëve ishin edhe shërbimet që ofrojnë njësitë, duke kërkuar që të gjitha zyrat që ofrojnë shërbime për qytetarët të jenë të aksesueshme lehtësisht.
“Ju kërkoj të gjithëve të bëni një vlerësim të aseteve tuaja dhe ambienteve të punës. Shërbimet ndaj publikut do të jenë të gjitha në katet e para”, u shpreh kryetari i Bashkisë. Më tej ai ka siguruar se është në objektivin e punës së tij që të sigurojë zyra moderne të ofrimit të shërbimeve, të ngjashme me zyrat e punës që ai ndërtoi gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
“Do të kemi një standard, që qytetarët të kuptojnë se kur hyhet në një zyrë të bashkisë së Tiranës ofrohet i njëjti shërbim, zyrat duken njësoj dhe kanë të njëjtën cilësi, ku u garantohet e njëjta sjellje korrekte e zyrtarëve” u shpreh Veliaj.
Ai u ka kërkuar administratorëve që të bëjnë një inventar të të gjithë territorit të njësive, për të parë më konkretisht gjendjen e rrugëve, trotuareve apo edhe të çdo ambienti tjetër publik.
“Do të kërkoj nga secili prej jush, 24 raporte për të gjitha rrugët, sheshet dhe trotuaret e zëna në njësi. Brenda javës do të na duhet të kemi një inventar, të rrugëve, trotuareve, shesheve të bllokuara e të zëna. Ky do të jetë programi ynë i punës për Policinë Bashkiake, Policinë e Shtetit dhe INUV-in, për t’u siguruar që qytetin t’ia kthejmë mbrapsht qytetarëve dhe jo të fortëve që mund ta zënë me pengesa të kësaj natyre”, tha Veliaj.
Një vëmendje të veçantë në fjalën e tij ai i ka kushtuar edhe situatës që krijuan përmbytjet e ditëve të fundit në Tetovë. Duke u solidarizuar me drejtuesit vendor atje, Veliaj bëri të ditur se do t’i kërkonte Këshillit Bashkiak që të shikonte mundësinë për t’i ardhur në ndihmë qytetit të Tetovës në këto ditë të vështira, qoftë me mjete financiare, ashtu edhe çfarë do lloj lehtësimi tjetër që mund t’i shërbente situatës./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





