Transmetuar më 04-08-2015, 19:40

Drejtori i zyrës politike të Talibanëve në Doha të Katarit, Sayed Mohammad Tayab Agha, përmes një deklarate për media ka thënë se ai ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.

Zyra në Katar ishte ngritur për të mundësuar zhvillimin e bisedimeve të paqes me qeverinë afgane.

Agha tha se ai e konsideron vendimin për të mbajtur të fshehur vdekjen e liderit të talibanëve Mullah Mohammad Omar, i cili kishte vdekur në vitin 2013 si “një gabim historik nga individë të shqetësuar”.

Vetëm javën e kaluar talibanët konfirmuan vdekjen e Mullah Omarit.

Mohammad Akhtar Mansur është zgjedhur lideri i ri i talibanëve, gjë që ka zemëruar shumë zyrtarë të lartë të kësaj organizate dhe po ashtu familja e Omarit nuk e ka mirëpritur zgjedhjen e Mansur në krye të kësaj organizate.

Agha ka thënë në deklaratë se lideri i ri i talibanëve “duhet të emërohet para muxhahedinëve të guximshëm”.

Zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid ka thënë se nuk mund ta konfirmojë nëse kjo deklaratë është lëshuara nga Agha.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd