
Tiranë, 4 gusht 2015, NOA.al- Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim dosjen në ngarkim të ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve dhe procedurat për blerjen e ish-hotel “Dajti”.
Organi i akuzës në përfundim të hetimeve dërgoi sot në Gjykatën e Tiranës kërkesën ndaj Fullanit, ish-Guvernator i Bankës së Shqipërisë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Për Prokurorinë e Tiranës, në bazë të hetimeve, ka rezultuar se i pandehuri, ish- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikëqyrës, dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, vjedhje për të cilën janë gjykuar persona të tjerë.
Po ashtu, Prokuroria e Tiranës e konsideron përgjegjës ish-guvernatorin Fullani në procedurat për blerjen e ish-hotel “Dajti” në vlerën 30 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, ish-guvernatori Adrian Fullani rezulton nga hetimet të ketë qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme.
Organi procedues çmon se procedura e ndjekur me prokurim të drejtpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e komisionit të prokurimit kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë datë 16.06.2010, janë kryer rreth një muaj më vonë nga momenti që Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel Dajtit pikërisht Bankës së Shqipërisë, si edhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme.
Prokuroria e Tiranës vlerëson se ish-Guvernatori Fullani ka përgjegjësi ligjore, pasi nuk ka urdhëruar dhe ndërmarrë veprimet e nevojshme për vlerësimin real të kësaj pasurie të paluajtshme dhe se vlera me të cilën është blerë godina e ish-hotel “Dajti” është përllogaritur si pasuri “hotel”, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi (Banka e Shqipërisë) si biznes fitimprurës hotel, por si ambiente zyrtare pune./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





