
Tiranë, 4 gusht 2015, NOA.al- I dënuar me pesë vite burg për mashtrim, një 41 vjeçar nga Lushnja u ekstradua sot nga Italia drejt vendit tonë.
I ekstraduari është Kelmend Bufazi 41 vjeç, banues në Lushnjë. Burime zyrtare nga policia i thanë NOA.al, i ekstraduari është dënuar nga Gjykata e Elbasanit me 5 vjet burg për mashtrim.
Ai akuzohet pasi më 13 tetor të vitit 2007, shtetasi R.D., me banim në Dragot të Elbasanit, ka qenë në shtëpinë e tij, dhe Kelmend Bufazi pasi kishte mësuar se ai do të shiste një tufë delesh, 139 krerë me një vlerë prej 8 300 lekë për krerë, ka përgatitur një deklaratë me dorë në praninë e dy personave të tjerë, dhe kanë rënë dakord për blerjen e tyre.
I pandehuri i ka dhënë fillimisht shumën prej 20 000 lekë nga totali prej 1 50 000 lekë, dhe i ka premtuar se pjesën tjetër do ia jepte brenda datës 1 maj të vitit 2008.
Duke qenë se pjesa e detyrimit nuk është shlyer asnjëherë nga Bufazi, personi i dëmtuar ka depozituar kallëzim penal në ngarkim të tij.
Gjithashtu në vitin 2008 në fshatin Dragot të Tepelenës, Bufazi i ka marrë shtetasit V.P., 100 krerë dele, duke i dhënë vetëm një pjesë të parave dhe duke mos shlyer detyrimin e plotë.
Po kështu ka vepruar edhe me shtetasin F.A. të cilit i ka marrë 41 krerë qengja dhe duke mos i shlyer asnjë pagesë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





