
Në prag të mbylljes së mandatit të dytë si President, Barack Obama ka njoftuar masat e para për të ndalur ndryshimin e klimës.
Presidenti Obama shpalli kufizimet e para në lëshimin e gazrave në centralet energjetike në Shtetet e Bashkuara.
Në një dalje për mediat, z. Obama tha mbrëmë vonë se ky plan i ri klimaterik amerikan, paraqet “hapin e vetëm më të rëndësishëm që SHBA kanë ndërmarrë ndonjëherë në luftën kundër ndryshimeve klimatike globale”.
Presidenti amerikan, Barack Obama, pohoi se ndryshimet klimaterike paraqesin njërën nga sfidat më të mëdha në kohën tonë.
“Asnjë sfidë nuk paraqet kërcënim më të madh për të ardhmen tonë dhe të gjeneratave të ardhshme, sesa ndryshimet në klimë”, tha Barack Obama.
"Termocentralet janë burimi më i madh i ndotjes nga çlirimi i karbonit të dëmshëm që kontribuon në ndryshimin e klimës. Por deri tani, nuk ka pasur kufizime mbi sasinë e ndotjes që këto termocentrale mund të çlirojnë", – shtoi ai.
Sipas rregullave të reja që shpalli presidenti amerikan, kërkohet ulje e emisioneve të karbonit nga sektori energjetik në Shtetet e Bashkuara, me 32% deri në vitin 2030.
Nisma përballet me kundërshtime të ashpra nga shtetet që prodhojnë qymyr dhe përfaqësuesit e tyre në Kongres.
Grupet industriale dhe zyrtarët e zgjedhur nga shtetet që varen nga energjia e bazuar në thëngjill, kanë shprehur përkushtim që kundër këtyre rregullave të reja të luftojnë me procedurë gjyqësore.
Qëllimi i planit është që deri në vitin 2030 të pakësohet çlirimi i karbonit me mbi 30 për qind nga nivelet e vitit 2005. Ky plan përcakton objektivat, por i lejon shtetet të vendosin vetë se si do t’i realizojnë ato.
"Është e qartë se votuesit janë më të shqetësuar për vendet e punës dhe ekonominë", tha Mitch McConnell, senator republikan.
Udhëheqësi republikan i Senatit përfaqëson Kentakin, një shtet i pasur me qymyr dhe mendon se plani i presidentit do të eliminonte shumë vende pune.
"Duhet të bëjmë gjithçka për të frenuar këtë sulm me rregulla të shumta, të cilat kanë penguar rimëkëmbjen që prisnim pas recesionit ekonomik".
Në një marrëveshje të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara morën një angazhim për pakësimin e çlirimit të karbonit, ndërsa Kina u zotua të ndalë rritjen e prodhimit të gazrave serrë në të ardhmen.
"Jam veçanërisht i shqetësuar nga marrëveshja, e cila nuk kërkon asgjë nga kinezët për 16 vjet, ndërsa rregullat për kufizimin e çlirimit të karbonit po bëjnë kërdi në shtetin tim dhe shtetet e tjera në vendin tonë", thotë senatori McConnell.
Por edhe vendet e tjera, si Meksika, po punojnë për pakësimin e çlirimit të gazeve serrë.
"Vendi duhet respektojë angazhimet e tij ndërkombëtare, por duhet të krijojë edhe vende të reja pune, të bëjë reforma në sektorin e energjisë, dhe të sigurojë kushte më të mira jetese", thotë José Antonio Meade, Ministër i Jashtëm i Meksikës.
Zyrtarët e OKB-së e përshëndetën këtë vendim.
"Me kalimin e kohës, ne duhet të shohim një prirje më të qartë të investimeve në energji të pastër dhe të rinovueshme", thotë Christina Figueres, Sekretare e OKB-së për Ndryshimet Klimatike.
Më parë këtë vit, Presidenti Obama i vuri veton ndërtimit të një tubacioni nafte nga Kanadaja, duke nxitur reagime pozitive nga ambientalistët dhe kritika nga shumë ligjvënës. Plani i tij për energji të pastër mund të ketë më shumë pasoja, ai pritet të shkaktojë një stuhi politike dhe kundërshtime më të ashpra.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





