
Është ndarë nga jeta kompozitori dhe një ndër kitaristët virtuozë që la gjurmë në brezin e viteve 60-70, “Mjeshtri i Madh”, Alfons Balliçi.
Emri i njohur i muzikës shqiptare u shua në moshën 74 vjeçare.
Kolegët e njohin si një muzikant i talentuar me një vesh absolut, qe të mahniste për mprehtësinë e dëgjimit, dhe virtuozitetin improvizues të kitarës të cilën e mësoi që në fëmijëri pothuajse autodidakt.
Balliçi ishte njohës i shkëlqyer i motiveve të Elbasanit ku dhe kaloi periudhën më të rëndësishme të jetës së tij.
Ai kontribuoi fuqishëm në përpunimin e melodive dhe motiveve të Shqipërisë së Mesme saqë ato iu bënë elemente organike që i buronin në formën më të përsosur dhe origjinale ne te gjithë krijimtarinë muzikore të tij, – thotë kompozitori i njohur Gazmend Mullahi.
Alfons Balliçi u edukua duke u pajisur me dije të plota dhe profesionale. Ai kreu me sukses Akademinë e Arteve duke qenë nder kuadrot e parë të tij. Ashtu si edhe plot kolegë krijues e muzikantë të shkëlqyer si Ferdinand Deda, Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Xhunga, Kodra, Laro, Shëngjergji, Peçi, Minga, Zaharian, Spartak Tili, ai i dha këngës shqiptare dhe muzikës në përgjithësi një tingëllim sa origjinal dhe profesional që do të përbënte një përvojë të mrekullueshme dhe një model të rëndësishëm për brezat e mëvonshëm.
Plot elegancë dhe me një përmbajtje të shëndoshë melodie kombëtare do të mbahet mënd koncerti i organizuar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore me krijimtarinë më të spikatur të këtij artisti e cila ishte dhe një përshëndetje për të gjithë artdashësit dhe dashamirësit e këtij zhanri.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





