Transmetuar më 03-08-2015, 15:57

Tiranë, 3 gusht 2015, NOA.al- Prezantohet programi i plotë i edicionit të 14-të të festivalit DokuFest, i cili do të mbahet nga data 08 -16 gusht në Prizren, Kosovë.

Programi u publikua në Tiranë, ku Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, shprehu kënaqësinë të prezantojë edicionin e radhës së DokuFest, festivalit i cili është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Për ne është detyrë dhe krenari ta mbështesim, duke qenë se DokuFest bën pjesë në kalendarin e përbashkët kulturor të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, si një ndër gurët më të rëndësishëm të këtij kalendari i cili nuk kufizohet vetëm në shfaqje të filmave por shtrihet edhe përtej datave të festivalit dhe përtej Prizrenit”, tha Kumbaro.

Drejtori Artistik i DokuFest, Veton Nurkollari shprehu kënaqësinë që shfaqja e filmave në Tiranë të jetë si një pikënisje e Dokufest.

“Jemi të lumtur të rikthehemi në Tiranë dhe të një copëz të vogël të programit të madh të këtij edicioni të DokuFuest, për të cilin kemi punuar një vit dhe të cilin jemi krenar ta shfaqim në Prizren nga data 8-16 gusht”, u shpreh Nurkollari.

Organizatorët e DokuFest do të qëndrojnë sot në Tiranë për shfaqjen e një programi të vogël të filmave nga ky edicion i festivalit. Filmat do të shfaqen sonte në orën 20:00, në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve.

Të zgjedhura nga një numër rekord i mbi 3 000 aplikimeve, festivali do të prezantojë 228 filma nga 43 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale.

Tema e festivalit këtë vit është migrimi, konteksti i tij shoqëror global dhe lokal si dhe pasojat, të cilat do të theksohen dhe hulumtohen në një numër të aktiviteteve, përfshirë panele dhe debate me filmbërës dhe me ekspertë të ftuar ndërkombëtar dhe vendor.

Një program i filmave të cilët fokusohen në çështjen e migrimit është krijuar ndërsa regjisori fitues i “Bafta”, Daniel Mulloy edhe këtë vit ka krijuar një fushatë vizuale të mrekullueshme për temën e festivalit.

Filmat nga programi garues janë në thelb të festivalit dhe përzgjedhja e këtij viti sjell disa nga titujt më të mirë të filmave dokumentar si dhe atyre të shkurtër dhe eksperimental, në qytetin e Prizrenit dhe në kinematë e tij.

DokuFest gjithashtu do të prezantojë një numër rekord të filmave shqip nga filmbërës që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë. Festivali do t’i bëjë homazh njërit ndër filmbërësve më të mëdhenj botëror Albert Maysles, me shfaqjen e gjashtë filmave të tij, përfshirë filmat legjendar “Gimme Shelter” dhe “Grey Gardens” e po ashtu edhe dy filmat e tij të fundit “Iris” dhe “In Transit”.

Albert Maysles, i cili vdiq në fillim të këtij viti, në moshën 88 vjeçare, së bashku me vëllanë e tij David, ri-definuan filmbërjen e dokumentarëve dhe ndikuan tek një brez i regjisorëve me aftësinë e tyre për të kapur realitetin ashtu siç ndodh.

View From The World, programi jo-garues i festivalit do të sjellë disa nga filmat më të mirë të këtij viti, përfshirë “Citizenfour”, fitues i çmimit Oskar për filmin më të mirë dokumentar, “The Wolfpack, sensacionin” e “Sundance” dhe fituesin e çmimit të jurisë atje si dhe “The Pearl Button”, fitues i çmimit për skenarin më të mirë në këtë edicion të Berlinale.

Programi i pasur i këtij viti po ashtu përfshin programin e kuruar nga kritiku i filmit Neil Young e që është një studim i skenës së pavarur të filmit amerikan në programin e titulluar “Uncharted States of America” (Shtetet e Bashkuara të paeksploruara) dhe programin e Pamela Cohn që tanimë është një eksplorim i vazhdueshëm i muzikës në filmin dokumetar, në programin e titulluar Sound of my Soul (Tingujt e shpirtit tim).

Drejtori Ekzekutiv i DokuFest, Eroll Bilibani foli për panelet, master klasat dhe punëtoritë që do të sjellin figura të njohura në fushat e tyre përkatëse dhe të trajtojnë llojllojshmëri temash që kanë të bëjnë me filmin dhe përtej.

Debati i titulluar “Ballafaqimi me të kaluarën” do të adresojë rolin e rëndësishëm që arti dhe kultura kanë në krijimin e vlerave të reja që do të mund të ndihmojnë në ballafaqimin me traumat e konflikteve të viteve të 90-ta.

Një debat tjetër do të mbledhë panelistë të cilët do të diskutojnë për shqetësimet kryesore mjedisore dhe ndryshimet klimatike në rajon. Debatet do të mbahen në hapësirën e mrekullueshme të Muzeut të Hamamit, ndërsa biseda tjera që do zhvillohen aty përfshijnë debatin mbi tregun e filmave të shkurtër, rolin e medieve në luftimin e korrupsionit, mbi dhunën seksuale gjatë konflikteve në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë dhe pasojat për të mbijetuarit, dhe tre debate që do të shqyrtojnë temën e migrimit nga kënde të ndryshme.

Hapësira e Kino Klubit do të jetë mirëpritëse e ligjëratave të ndryshme përfshirë masterklasën me Lucy Walker, regjisore e nominuar dy herë për Academy Award, e cila do të ndajë këshilla për procesin dhe anën praktike të editimit të filmave dokumentar. Në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës do të organizojmë ligjëratën me Vasif Kortun një shkrimtar, kurator dhe ligjërues i artit bashkëkohor nga Stambolli, i cili do të flasë për artin dhe ndryshimet urbane duke u fokusuar në punën e tij si në “Salt Istanbul”, një institucion i cili është pjesë e shumë programeve dhe një arkive të gjerë të artit bashkëkohor dhe arkitekturës turke.

Punëtoria “Nëse sot shkoni në pyll…” do të bëjë bashkëpjesëmarrës që do të eksplorojnë sekretet e dramës dhe filmbërjes duke krijuar një performance në natyrë.

Ndërsa Kino Prizreni rikthehet për të tretën herë me radhë, duke bërë bashkë filmbërësit nga e gjithë bota për të shkruar, xhiruar, edituar filmat e tyre me një buxhet jo-ekzistues dhe me pajisje dhe ekspertizë të përbashkët.

Ekipi Balkan Documentary Center Discoveries 2015 do të bëjë bashkë profesionistë me projekte të dokumentarëve me një potencial ndërkombëtar që t’i paketojnë ato për tregun e filmave. Ndërsa partnerët e Dokufest Corners do të sjellin tre punëtori të cilat përfshijnë një performancë që do të kombinojë teatrin, muzikën dhe poezinë; një instalacion publik mbi nocionin e “shtëpisë” dhe një ekspozitë me shtëpi të zogjve.

Edicioni i dymbëdhjetë i DokuPhoto do të paraqesë punën e fotografit nga Shqipëria Enri Canaj. Do të ekspozohen fotografitë e tij të cilat dokumentojnë dëshpërimin e një grupi emigrantësh nga Siria të cilët arrijnë në bregdetin grek. Enri Canaj po ashtu do të jetë pjesë e një masterklase, duke treguar punën dhe praktikën e tij fotografike.

DokuTech do të jetë vendtakim i mendjeve të ndritura të brezit të ardhshëm për të eksploruar dhe eksperimentuar me teknologji ku do të diskutohen njohuritë e hapura dhe inovacionet e teknologjisë në mbarë botën me protagonistët kryesorë të këtyre zhvillimeve.

DokuTech do të mbahet në datat 8-9 gusht në DokuFest në Prizren, do të ofrojë frymëzim dhe një eksperiencë unike për të gjithë pjesëmarrësit që do të kenë mundësi të përfshihen, të jenë aktiv, të dëgjojnë dhe gjithashtu të sfidojnë folësit gjatë prezantimeve.

DokuKids apo festival i fëmijëve është i strukturuar rreth të vegjëlve të cilët do të jenë të përfshirë në dy punëtori të dizajnuara me kujdes, që do të shërbejnë si platforma të të menduarit dhe argëtimit të tyre. Fëmijët do të mësojnë për teknikat e filmit dhe artit të performancës duke reflektuar mbi aspekte të ndryshme të jetës së tyre. Rezultati përfundimtar do të jetë një performancë e bukur në Rrugën e Farkatarëve në Prizren si dhe një film i stop motion i krijuar nga ata.

Program i koncerteve të muzikës DokuNights do të bëjë bashkë artistë nga zhanre të ndryshme muzikore. E gjitha do të filloj më 8 gusht me Ah! Kosmos, Tijana T dhe Alien no. 155 – trio që përfaqësojnë Stambollin, Beogradin dhe Tiranën, të cilat do të bashkohen për herë të parë për të filluar udhëtimin e DokuNights.

Gnučči do të vazhdojë me ritmin e saj energjetik duke na sjellë një dimension të gjerë muzikor dhe këngë bombastike. Ndërsa në natën e tretë të DokuNights do të performojë grupi legjendar nga Rusia, Messer Chups. Pastaj, Tritonik nga Mauritius do të kombinojë në ritmet afrikane dhe ngjyrat orientale nën hijen e këngëtarit blues.

Grupi kosovar “Bloody Foreigners” do të sjellë perfromancën e parë live të dy albumeve të tyre ndërsa sinergjia në mes të Seba dhe MC Lowqui do të sjellë një natë që do të prezantojë “drum n’ bass” në versionin e tij më të zëshëm dhe mprehtë. Dhe në fund, Nezafete Shala dhe grupi i saj, do ta sjellin udhëtimin në një gjendje të paqes dhe gëzimit me këngët e tyre plot dashuri.

Muzikantë tjerë që do të performojnë në skenën e Andrrës të DokuNights janë Marcel Fengler, Hajdar Berisha, Garazhë (Ergen + Pinkmetal), Nire, Wild Baby/Seve Neves, Loni, Trashmango, Ygretmen, Karamucho, Toton & Liburn Jupolli, Goce, High Roll./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd