Transmetuar më 03-08-2015, 13:07

Sarandë, 3 gusht 2015, NOA.al- Temperaturat e larta të ujit në liqenin e Butrintit, po vënë në rrezik midhjen.

Ministria e Bujqësisë në një qëndrim zyrtar bën me dije se temperaturat e larta po shkaktojnë një stres termik mbi midhjen që kultivohet aty duke shkaktuar dhe dëmtime të saj.

Kjo ministri thotë se temperaturat këto ditë arritën deri në 33 gradë celsius në ujin e lagunës së Butrintit, ndërsa në ujërat detare që rrethojnë lagunën temperatura është afër 30 gradë.

Nisur edhe nga rritja e pritshme e mëtejshme e temperaturave në ditët që vijnë, si rrjedhojë e një anticikloni të gjerë në Mesdhe, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti,  urdhëroi marrjen e masave të menjëhershme për kontrollin e dëmtimeve të midhjeve në lagunë duke filluar sa më parë procesin e zhvendosjes të midhjeve në zona më të freskëta ujore.

Për këtë proces një grup nga Ministria e Bujqësisë dhe specialiste nga Instituti i Sigurisë Ushqimore, ndodhet në terren për të koordinuar me kultivuesit e midhjeve dhe ndërhyrjet e emergjencës.

Ndërkohë thuhet se strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe bordet e kullimit po garantojnë furnizimin normal të lagunës së Butrintit me ujin e Bistricës, për të freskuar sadopak temperaturat e ujit dhe garantuar edhe oksigjenimin e saj të qëndrueshëm./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd