Transmetuar më 03-08-2015, 12:10

Durrës, 3 gusht 2015, NOA.al- Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim tre të dyshuarit për vrasjen e dy të moshuarave në Durrës, në muajin shtator të vitit të kaluar.

Në një komunikim zyrtar Prokuroria bën me dije se janë mbyllur hetimet për të pandehurit Indrit Shaqja, Velson Elmazi dhe Artur Kaçanolli, të akuzuar për vjedhje me pasojë vdekjen e dy të moshuarave, Gjinovefa dhe Elsa Vava, ngjarje e ndodhur në 2 shtator të vitit 2014 në lagjen 11 të qytetit bregdetar.

I pandehuri Kaçanolli, i cili ishte edhe i afërm i të moshuarave, ishte në dijeni se ato mbanin në shtëpi sende me vlerë dhe para në shuma të konsiderueshme.

Për këtë arsye ka vënë në dijeni Indrit Shaqja-n, i cili organizoi planin në bashkëpunim me Velson Elmazin, në bazë të informacionit të dhënë nga i pandehuri Kaçanolli, dhe në mesnatën e 2 shtatorit hynë në shtëpinë ku jetonin vetëm dy të moshuarat.

Gjatë tentativës së tyre për të vjedhur, të moshuarat i kanë ndjerë dhe janë zgjuar nga gjumi, por janë gjendur nën sulmin e menjëhershëm të Indritit dhe Velsonit, të cilët kanë goditur fizikisht të moshuarat, më pas i kanë lidhur këmbët e duart, si edhe u kanë mbyllur gojën me tufë leckash, duke u shkaktuar atyre vdekjen për shkak të dhunës dhe asfiksisë.

Ndërkohë, në shtëpi, në një dhomë më vete, ka qenë edhe një e moshuar e tretë, motra e paralizuar e viktimës Gjinovefa, Marjana Vana. Në dhomën e Marjanës nuk ka pasur ndërhyrje dhe ajo nuk e ka kuptuar se çfarë po ndodhte në dhomat e tjera.

Aksioni vjedhës është kryer nga të pandehurit Indrit Shaqja dhe Velson Elmazi, në dijeni e plotë të Artur Kaçanollit, i cili e ka ditur qëllimin e bashkë të pandehurve dhe ka lejuar me dashje direkte ardhjen e pasojës, vdekjen e të moshuarve. Vjedhja ka vijuar rreth 30-40 minuta dhe më pas ata janë larguar pasi kanë marrë mbi 200 mijë lekë të reja, bizhuteri me vlerë, si edhe rreth 20 monedha franga ari.

Hetimi ndaj të pandehurve është zhvilluar me masën e sigurisë “arrest me burg”. Fillimisht janë arrestuar të pandehurit Velson Elmazi dhe Artur Kaçanolli. Më pas, është arrestuar në Spanjë dhe ekstraduar për në Shqipëri edhe i pandehuri Indrit Shaqja.

Të tre të pandehurit akuzohen për veprën penale të “vjedhje me pasojë vdekjen” në bashkëpunim, dy herë.

Po ashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, është marrë e pandehur edhe Valbona Shaqja, bashkëshortja e Indritit, e akuzuar për veprën penale të “Përvetësimit i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Kjo akuzë është ngritur ndaj saj, për faktin se gjatë hetimit rezultoi se shtetasja Valbona, në dijeni të sendeve të vjedhura nga bashkëshorti i saj në shtëpinë e të moshuarave Vava, i ka zhvendosur shumat e parave dhe bizhuterive pak para se të zhvillohej kontrolli policor në shtëpinë e tyre, pasi që në momentin e parë janë ngritur dyshime si autor të kësaj ngjarje shtetasin Indrit Shaqja. Pasi ka përfunduar kontrolli policor, Valbona i ka rikthyer sërish shumat e parave në shtëpinë e saj dhe më tej ia ka dhënë bashkëshortit, Indrit Shaqja, për t’i përdorur më pas që të largohej nga Shqipëria./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd