


Edhe ajo pak mundësi që të ishim më të kujdesshëm me gjuhën dhe ta duam më shumë artin e të shkruarit, po shuhet, pasi tendenca në vendet e zhvilluara dhe në përgjithësi në Europë, është që njerëzit mos shkruajnë më të zezën mbi të bardhë, por në tastierë.
Shkollat në Finlandë nuk do t’i mësojnë më fëmijëve si të shkruajnë me dorë, por do t’i kalojnë ata direkt në tastierën e kompjuterit.
Ky vendim, vjen pasi drejtuesit e arsimit në vendin skandinav vlerësojnë se komunikimi sot bëhet vetëm nëpërmjet mesazheve në celular.
Për më tepër, disa shtete amerikane e kanë hequr shkrimin e dorës nga kurrikula.
Kurse në Francë, pasi u hoq për një kohë të shkurtër, u rikthye pasi shkencëtarët thanë se të shkruarit me dorë ndihmonte trurin të funksiononte më mirë dhe nuk duhej hequr.
Ndryshe nga Franca, në Finlandë nuk ka pasur reagime për këtë vendim. Një nga drejtuesit e Bordit Kombëtar të Arsimit në Finlandë tha për “The Guardian” se “askush nuk ka reaguar, përveç disa gjyshërve”.
Por a duhet zhdukur mësimi i shkrimit me dorë?
Sidomos në kushtet shqiptare, ku dialektet janë të theksuara në përdorim dhe ngutja e njerëzve, sidomos rinisë, është që të shkruajnë shpejt e me shkurtime, dëmton shumë në përdorimin e rregullt të shqipes dhe humb shumë nga kultura letrare dhe gjuhësore shqiptare.
Një projekt pilot nis të aplikohet në shtator në disa shkolla publike, kryesisht në Tiranë, ku fëmijëve do t’u jepen tableta për të shkruar.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se “këtë shtator fillon realizimi konkret, në 60 gjimnaze të vendit, i mësimit dixhital, përmes 120 klasave inteligjente”. Ai tha se ky është një projekt që “ne synojmë ta shtrijmë pjesë-pjesë në të gjithë Shqipërinë, por fillimisht do të bëhet vetëm në këto 60 gjimnaze, këtë shtator”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





