Transmetuar më 02-08-2015, 10:03

Konflikti mes politikës dhe medieve për raportimin mbi punën e shërbimeve sekrete ka arritur një pikë të re kulmore. Kundër dy gazetarëve po hetohet nën dyshimin për tradhti ndaj atdheut.

Siç njoftoi autoriteti i Prokurorit të Përgjithshëm, Harald Range, dy gazetarë akuzohen, se në publikimet për mbrojtjen kushtetuese në blogun investigativ "Netzpolitik.org", kanë nxjerrë sekrete shtetërore.

Presidenti i Entit Federal të Mbrojtjes Kushtetuese, Hans-Georg Maassen, ka bërë kallëzim penal.

Publikim dokumentesh të brendshme

Portali i internetit në shkurt dhe prill të këtij viti ka raportuar për plane të brendshme të Entit Federal të Mbrojtjes Kushtetuese lidhur me klasifikimin e komunikimit të brendshëm të shërbimeve sekrete.

Artikulli i datës 25 shkurt 2015 mbante titullin "Vërshim sekret parash: Mbrojtja Kushtetuese punon në klasifikimin masiv të informacioneve në internet", artikulli i 15 prillit është publikuar nën titullin "Grupi i referatit sekret: ne prezantojmë njësinë e re të Mbrojtjes Kushtetuese për zgjerimin e mbikëqyrjes së internetit". Në këto artikuj bloggerat kanë publikuar informacione të brendshme.

Përveç hetimeve ndaj dy gazetarëve – Markus Beckedahl (foto), themelues i portalit Netzpolitik.org dhe André Meister – Prokuroria Federale po heton edhe ndaj informatorëve të panjohur të bloggerave. Në rast të ngritjes së padisë dhe dënimit gazetarët i kërcënon së paku një vit burgim.

Sfondi, afera NSA

Vënia e hetuesve në veprim pason në sfondin e një debati që zgjat prej muajsh mes qeverisë, opozitës dhe medieve lidhur me raportimin mbi aferën rreth përgjimeve të Shërbimit Informativ të SHBA-së, NSA.

Zyra e kancelarisë pat kërcënuar disa herë me kallëzime penale – si edhe në kontekstin e publikimit të dokumenteve sekrete.

Sipas mendimit të gazetarit Beckedahl qeveria me kallëzimin penal synon të mbulojë të vërtetën mbi implikimin gjerman në aferën e NSA. Po bëhet, sipas tij, gjithnjë e më e qartë, se qeveria "është e zhytur thellë në moçalin e NSA-së dhe co.", i tha gazetari kanalit të parë televiziv gjerman, ARD.

Beckedahl: Do të vazhdojmë kështu

"Ne dyshojmë tani, se përmes të tilla kallëzimeve penale po qëllohet fort kundër atyre, që duan të kontribuojnë për të zbardhur skandalin më të madh të përgjimeve në historinë e njerëzimit", deklaroi Beckedahl. "Ne nuk do të stepemi", theksoi bloggeri. Netzpolitik.org do të vazhdojë punën dhe i mirëpret "dokumentet e mëtejshme, që dëshmojnë, se si shërbimet tona sekrete, pa e diskutuar me ne si shoqëri, me shërbimet e tjera sekrete, e kanë kthyer internetin në një makineri globale të vëzhgimit të plotë."

NSA akuzohet, se prej vitesh ka përgjuar telefonatat e politikanëve drejtues në Berlin. Edhe celulari i kancelares Angela Merkel me sa duket është kapur prej Shërbimit Sekret të SHBA-së.

BND si ndihmës

Përveç kësaj, sipas tyre, Shëbrimi Federal Informativ i Gjermanisë (BND)duhet të ketë ndihmuar për vite me radhë, për të përgjuar sipërmarrje dhe politikanë europianë. NSA, po sipas këtyre informacioneve, i ka dërguar BND-së për mbikëqyrjen e qarkullimit të të dhënave në stacionin e saj të përgjimit në Bad Aibling mijëra kritere kërkimi, të ashtuquajtur selektorë si numra telefoni apo adresa IP të kompjuterëve.

Grupet parlamentare të opozitës ekologjistët dhe të majtët kërkojnë të kenë akses në listën e selektorëve. Qeveria e refuzon këtë.

Netzpolitik.org është një ndër blogjet më të njohura në gjuhën gjermane dhe është vlerësuar në vitin 2014 me çmimin Grimme-Online-Award. Bloggerat angazhohen për të drejtat digjitale qytetare.

Ata raportojnë ndër të tjera edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mbledhjet e Komisionit Hetimor të Bundestagut për punën e shërbimeve sekrete.

Shoqata gjermane e gazetarëve i dënoi ashpër hetimet nga prokuroria Federale. Ky qëndrim është "një përpjekje e palejueshme, për t’u hequr të drejtën e fjalës dy kolegëve kritikë", tha kryetari federal i kësaj shoqate, Michael Konken. Ai i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm Federal që të ndërpriten hetimet.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd