
Ekipi i futbollit të Kukësit përballet nesër me vendimin e UEFA për incidentin e ndodhur pak ditë më parë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë, ku luajti përballë polakëve të Legias.
UEFA ka zyrtarizuar 3 akuzat për kuksianët të cilat janë: Braktisja e ndeshjes prej sendeve të hedhura në fushë, trazira të shkaktuara nga tifozët, dhe banderola të paligjshme.
Mbi klubin polak rëndon vetëm akuza e sjelljes së keqe të tifozëve.
Klubi shqiptar, aktualisht në raundin e tretë në Ligën e Europës, rrezikon jo pak për shkak të goditjes së njërit prej futbollistëve polakë, besohet nga një tifoz në tribunë.
Duket thuajse e sigurt se skuadra shqiptare do ta humbasë 0-3 ndeshjen në tavolinë, dhe klubi do të paguajë një gjobë të madhe, ndërsa rreziku kryesor është përjashtimi edhe sezonin tjetër nga Europa.
Ndeshja në Tiranë ndaj Legias së Varshavës u ndërpre në minutën e 52-të, ndërsa Ondrej Duda u godit nga një send i fortë, dyshohet çakmak, menjëherë pasi skuadra polake shënoi golin e dytë.
Më parë, Kukësi eliminoi Torpedon nga Bjellorusia dhe Mlladostin e Malit të Zi, për të mbërritur deri në turin e tretë të Ligës së Europës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





