
Nga Karim Émile Bitar
Amerikanët e quajnë Black Friday (E premtja e zezë) ditën e uljes së çmimeve pas Festës së Falenderimit. Për britanikët, Bloody Friday (E premtja e përgjakshme) është 21 korriku 1972, dita në të cilën IRA (Ushtria Republikane Irlandeze, shënimi im.) shpërtheu 26 bomba dhe autobomba në Belfast. 26 qershori 2015, ka qenë një tjetër e premte e zezë dhe e përgjakshme. Në Saint-Quentin-Fallavier, në rajonin francez të Isère, është gjetur një kokë e prerë në gardhin e një kompanie produktesh kimike. Në Sousse të Tunizisë, nja 40 turistë janë vrarë me një pushkë sulmuese në plazh dhe në pishinat e një hoteli të madh. Nja 30 besimtarë të impenjuar në falje janë masakruar nga një shpërthim në një xhami Shiite në kryeqytetin e Kuvajtit. Dhjetëra ushtarë të Bashkimit Afrikan janë vrarë me goditje granatash në Lego të Somalisë. Në Kobane të Sirisë, 146 civilë janë masakruar me gjakftohtësi.
Është bilanci i një dite të zakonshme në epokën e nihilizmit dhe të terrorit të globalizuar, 24 orë në jetën e një telespektatori në kohërat e dhunës politiko–fetare të skenarizuar, të teatralizuar dhe pornografike. Nga Tunizia në Gjirin Persik, nga Franca në Bririn e Afrikës deri në Siri, ekziston një konkluzion i vetëm për t’u nxjerrë: dominimi i territorit zgjerohet edhe prej dështimit kolosal të “luftës globale kundër terrorizmit” të nisur pas 11 shtatorit 2001, e cila ka rezultuar jashtëzakonisht kundërprodhuese. Pak muaj pas atentateve ndaj World Trade Center, sipas vlerësimeve të shërbimeve sekrete të vendeve të ndryshme, kërcënimi terrorist përfaqësohej nga një numër militantësh të al Qaedas përfshi midis 700 dhe 2000 personave, të gjithë të fshehur në malet e Afganistanit.
Në distancën e 14 viteve, pas ndërhyrjeve ushtarake perëndimore në Afganistan, në Irak e në Libi, luftërat në Siri e në Jemen, shkatërrimit të infrastrukturave të shteteve të ndryshme, dobësimit të kufijve dhe të integritetit territorial të vendeve të ndryshme, numërohen tashmë më shumë se 10 vatra terrorizmi në të gjithë botën. Shteti Islamik, një lëvizje shumë më radikale sesa al Qaeda, kontrollon një territor të madh dhe ka tërhequr në radhët e “legjionit të huaj” të saj mijëra luftëtarë të ardhur nga nja 100 vende.
Sheiku i padukshëm
Një vit më parë, një video me definicion të lartë na tregonte për herë të parë njeriun që ishte mbiquajtur “Abu Dua, sheiku i padukshëm”. Me çallmën e zezë, mjekrrën e zezë, abaya-n e zezë dhe një Rolex në dorë, udhëheqësi i grupit Shteti Islamik, Abu Bakr al Baghdadi, u filmua teksa predikonte në majën e minares së xhamisë Al Nuri të Mosulit dhe vetëshpallej “Kalifi Ibrahim”. Ky inskenim dhe planet ambicioze të shpallura nga organizata i shtynë shumë njerëz që të mendonin se, lëvizja po vuante nga vetëkënaqësia, duke e marrë si të mirëqenë forcën e saj më parë akoma se të kishte konsoliduar praktikisht përparimet e saj dhe që, për pasojë, do t’i ezaurohej me shpejtësi.
Një vit më pas, pavarësisht se shumë e kanë pritur me sarkazëm restaurimin e lajmëruar të Kalifatit, nuk ka ndodhur akoma asgjë që të ketë hedhur poshtë sloganin baqiya wa tatamaddad (të qëndrosh dhe të zgjerohesh): Shteti Islamik i vetëshpallur mbetet dhe vazhdon të zgjerohet. Në të gjithë botën nja 30 grupe kanë adoptuar flamurin e zi, kanë shprehur mbështetjen e tyre ose i kanë deklaruar hapur besnikëri grupit. E frikshme dhe diabolikisht efikase, strategjia e adoptuar nga xhihadistët nuk është e re. Po ta shqyrtosh me vëmendje, ajo ngjan më atë të teorizuar nga Mikhail Bakunin dhe nga mendimtarët anarkistë të Tetëqindës. Është një strategji që mbështetet mbi dy shtylla të forta: propagandën nëpërmjet fakteve dhe theksimin e vijave të frakturës.
Dje ashtu si edhe sot, terrorizmi është sidomos një taktikë, një lloj dhune me qëllim politik. Teoricienët e tij kryejnë një luftë të natyrës profane, edhe pse përdorin dhe abuzojnë me argumentime ideologjike, teologjike apo eskatologjike për të tërhequr pas vetes bijtë e humbur të gjeneratës së tyre. Pas vdekjes së tij, në shtëpinë e Haji Bakr, ish-kolonelit të ushtrisë ba’athiste të Saddam Hussein, që ishte bërë strategu i grupit Shteti Islamik, nuk është gjetur as edhe një kopje e vetme e Kur’an-it, siç lexohet në një investigim të së përjavshmes gjermane “Der Spiegel”.
Dështimi i luftës kundër terrorizmit është para së gjithash një pasojë e papërshtatshmërisë së përkufizimit të tij: si i bëhet që i deklarohet luftë një taktike, një koncepti, një emri të përbashkët? Është veç të tjerash, fryti i një obsesioni teologocentrist, sipas të cilat dhuna do të shkaktohej drejtpërsëdrejti nga luftërat fetare në vend se nga një kontekst gjeopolitik lehtësisht i manipulueshëm. Është së fundi pasoja e vendimit për t’u përqendruar ekskluzivisht mbi rreziqet në nivel të sigurisë, në vend se të përqendrohej mbi shkaqet strukturore e dhunës politike. Do të ishte momenti që industria e lulëzuar e ekspertëve të terrorizmit të rifitonte një minimum modestie epistemologjike.
Nuk ekziston një shpjegim i vetëm që të na mundësojë të kuptojmë atraksionin e parezistueshëm të ushtruar nga grupi Shteti Islamik mbi gjeneratat e reja të një botë të deziluzionuar. Për këtë arsye do të ishte e nevojshme një qasje shumëdisiplinore: do të duhet t’i bëhet referim ekonomisë, shkencave sociale, psikologjisë, shkencës së besimeve fetare, por sidomos do të ishte e nevojshme të nxirreshin shumatoret e gabimeve gjeopolitike tragjike të kryera nga kohët e luftës në Afganistan në vitet Tetëdhjetë deri në tragjedinë siriane, duke kaluar nëpër shpërbërjen e Irakut dhe të Libisë.
Qysh nga kohët e lashta, kërcënimi terrorist nuk është zhdukur kurrë. Në shekuj, numri i ekstremistëve fetarë i “psikopatëve” dhe i ideologëve të rrezikshëm politikë, ka mbetur gjithmonë pak a shumë i njëjti. Por këta nuk mund të lulëzojnë e të fitojnë pushtetin vetëm kur ekzistojnë disa të çara në sistemet e sigurisë. Sot, të çarat janë shkaktuar nga çmontimi i autoritetit të shteteve dhe i paaftësisë së komunitetit ndërkombëtar fantomatik për të riabsorbuar vrimat e zeza dhe shprehur një sistem “qeverisjeje botërore” më kompetent.
Për t’u ditur: Një vit atentate
Pak ditë pas nxitjes së grupit Shteti Islamik për të shumëfishuar sulmet gjatë muajit të Ramazanit, organizata ka rivendikuar atentatet e 26 qershorit në Tunizi e në Kuvajt. Në Sousse, në bregun tunizian, Seifeddine Rezgui, një student 23-vjeçar i Inxhinierisë, ka qëlluar kundër turistëve të huaj në Hotelin “Imperial Marhaba”, duke vrarë 39 persona. Më pas, Rezgui është vrarë në vend nga policia. Në kryeqytetin e Kuvajtit, Fahad Suleiman al Gabbaa, një saudit 23-vjeçar i ardhur para pak kohësh në vend, ka shpërthyer veten në një xhami Shiite, duke vrarë 27 persona dhe duke plagosur 227 të tjerë. Po në të njëjtën ditë në Francë, 35-vjeçari Yassin Salhi, ka vrarë dhe më pas i ka prerë kokën punëdhënësit të tij dhe ka kërkuar që të shkaktojë një shpërthim të fortë në një kompani produktesh kimike. Gjesti i tij të kujton aksionet e xhihadistëve, por nuk është rivendikuar.
Nga vjeshta e 2014, shkruan “New York Times”, grupi Shteti Islamik ka nxitur mbështetësit e tij që të godasin objektiva perëndimorë. Qysh atëherë, disa “qenër të tërbuar” i janë përgjigjur, duke kryer sulme me pak mjete në dispozicion, por me bujë të madhe. Shteti Islamik është i pranishëm në Irak, në Siri e në pjesë të Libisë dhe i ka deklaruar disa shtete si provinca (wilayat) të tij: Afganistan, Algjeri, Egjipt, Libi, Nigeri, Pakistan, Arabi Saudite.
* Studiues i Lindjes së Mesme. Jep mësim në Institut de Relations Internationales et Stratégiques të Parisit, Francë (nga L’Orient Le Jour, Liban)
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





