Transmetuar më 01-08-2015, 20:10

Ylli amerikan i muzikës rep, Snoop Dogg, është ndaluar sot nga policia italiane në pjesën jugore të Italisë, me 422 mijë dollarë amerikanë para të padeklaruara.

Agjencia italiane e lajmeve, ANSA, raportoi se gjysma e parave u konfiskua në aeroportin Lamezia Terme në Kalabri, sipas ligjit kundër pastrimit të parave.

Udhëtarët në Bashkimin Evropian janë të detyruar që t’i deklarojnë shumat më të mëdha se 10 mijë euro ose 11 mijë dollarë, gjatë kalimit të kufirit.

Snoop Dogg mbajti një koncert pardje në Kalabri dhe për sot ishte planifikuar të paraqitej para publikut në Alacat të Turqisë.

Ky konfiskim nga autoritetet italiane u bë më pak se një javë pasi këngëtari, Snoop Dogg, për një kohë të shkurtër ishte ndalur në Suedi, i dyshuar për përdorim të drogës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd