Transmetuar më 01-08-2015, 15:18

Interpol Tirana ka kryer ekstradimin nga kryeqyteti i Gjermanisë, Berlin, drejt vendit tonë të 44 vjeçarit nga Kuçova, Dritan Brisku.

Në foton që ju sjell noa.al shikoni të ekstraduari e sotëm.

Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin Nr.922, datë 20 tetor 2014, e ka dënuar Dritan  Briskun, me 2 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Heqje e paligjshme e lirisë së personit”.

Bëhet fjalë për ngjarjen e 20 marsit 2013. Dritan Brisku kishte bërë një marrëveshjeje për transportimin e një sasie të madhe parash britanike (200 mijë Paund) nga Londra për Tiranë, me Erion M., i cili në shkëmbim të shumës prej 6.000 euro do të çonte paratë në Tiranë me një makinë.

Përveç shpërblimit 6 mijë euro, Erion M., do të përfitonte edhe makinën duke e kaluar në pronësinë e tij pasi të sillte në destinacion, ngarkesën e parave në Tiranë.

Por Erion M., u akuzua nga Dritan Brisku dhe shokët e tij se i kishte përvetësuar një sasi të madhe valute në Paund.

Si masë shtrënguese për të nxjerrë të vërtetën ata e kanë marrë Erion M. dhe e kanë dhunuar për t’i kthyer paratë e dhëna, ku si rezultat shtetasi Erion M, ka përfunduar pa ndjenja në shtëpinë e Dritan Briskut me shokë, në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë.

Dritan Brisku pas ngjarjes ka shkuar në Gjermani ku edhe jetonte, por më 10 qershor të këtij viti, ai u arrestua nga policia gjermane si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden.

Arrestimi u krye me qëllim ekstradimi të Briskut në Shqipëri, për të vuajtur dënimin me dy vjet burgim. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd