





Një familje shqiptare nga Peja, e cila vuan humbjen tragjike të djalit në një aksident pune, është njoftuar nga gjykata në SHBA se është dëmshpërblyer me shumën 32 milionë dollarë amerikanë pasi incidenti fatal erdhi për faj të kompanisë ku i ndjeri punonte.
Bëhet fjalë për djalin 27 vjeçar nga Peja, Ramadan Kurtaj, i cili në vitin 2008, vdiq në vendin e tij të punës, në Nju Jork të SHBA-ve, nga një vinç që i ra në kokë.
Pas shtatë vitesh, familja Kurtaj, është dëmshpërblyer me 32 milionë dollarë, pasi firma u gjet fajtor për vdekjen e kosovarit.
Vendimin e ka marrë të enjten një juri gjyqësore në Manhatan, e cila tha se e ka gjetur fajtore për neglizhencë, kompaninë ku punonte shqiptari i ndjerë dhe viktima tjetër, Donald Leo, shtetas amerikan. Familjes së amerikanit, ndërkaq i kanë takuar 15 milionë dollarë.
Ky ishte shqyrtimi më i gjatë në historinë e Gjykatës Supreme në Nju Jork. Gjykata vendosi që kompania e vinçave e sipërmarrësit James Lomma ishte 61 për qind fajtore për vdekjet e këtyre dy qytetarëve.
James Lomma u lirua nga akuzat kriminale, por tani detyrohet që familjeve të viktimave t’u japë dëmshpërblim për stresin emocional në vlerë totale prej gati 50 milionë dollarësh.
Ngjarja ndodhi në majin e vitit 2008, kur Ramadan Kurtaj, 27 vjeçar nga Peja, dhe Donald Leo 30 vjeçar amerikan, ishin duke punuar në një objekt në ndërtim e sipër. Befas vinçi u prish dhe kur ata ishin duke punuar, i ra nga sipër duke u shkaktuar vdekjen e dhimbshme. /a.b/noa.al/
Në fotot e mëposhtme, shikoni të ndjerin Ramadan Kurtaj, viktimën tjetër Donald Leo si dhe pamje nga ngjarja e rëndë e majit 2008 në Nju Jork. Gjithashtu gjeni edhe video:
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





