
Parlamenti gjerman, Bundestag, votoi para pak ditësh masivisht për të mbështetur Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe planin e saj për mënyrën se si duhet të mbaheshin negociatat me Greqinë e zhytur në borxhe.
Nga jashtë mund të duket si një fitore e madhe për “Kancelaren e Hekurt”, e cila e detyroi Greqinë që të pranonte një paketë të tretë shpëtimi, por me kushtin që Athina të shkurtojë akoma më shumë shpenzimet buxhetore dhe të rrisë taksat, të nisë fushatën masive dhe të menjëhershme të privatizimeve dhe të implementojë një gamë të gjerë reformash strukturore.
Në fakt duket qartë që vendi, së bashku me koalicionin e gjerë të Social Demokratëve me të cilin qeveriset, mbështet fuqimisht Kancelaren e famshme në këtë vit të dhjetë të qëndrimit të saj në pushtet, edhe pse kjo e fundit është shprehur e gatshme ta detyrojë Gjermaninë të paguajë një çmim të lartë për ta mbajtur Greqinë brenda eurozonës.
Ajo çfarë fsheh kjo lustër e shndritshme mbështetjeje është pakënaqësi e madhe ndër popullin gjerman me pozicionin që Kancelarja ka mbajtur përballë Greqisë, madje një pakënaqësi akoma më të madhe nga ana e vetë partisë së saj CDU dhe simotrës së saj bavareze CSU.
Plot një e pesta e anëtarëve të Parlamentit që i përkasin partisë së Kancelares gjermane duket se kanë mbajtur qëndrim të kundërt në Bundestag, një zhvillim i pazakontë, i cili ka tronditur themelet politike gjermane.
Fituesja e vërtetë e eventeve të fundit nuk ka qenë Kancelarja Angela Merkel, por ministri i saj i zgjuar i Financave, Wolfgang Schäuble, qëndrimi agresiv i të cilit gjatë negociatave më qeverinë e majtë greke dhe kërcënimi se do ta linte Greqinë të falimentonte, duke u larguar kështu nga eurozona, bëri që popullariteti i tij të rritej në mënyrë të jashtëzakonshme këtë verë.
Edhe pse ai, njëlloj si Merkeli, mbështeti planin e paketës së tretë të shpëtimit dhe shfaqet tepër i përkushtuar ndaj Bashkimit Europian, ai shihet tashmë si kampioni që po thyen zinxhirin që prej kohësh lidh Gjermaninë me Athinën, si dhe për dhënien e lëmoshës së veshur si solidaritet europian.
Schäuble kështu e ka vendosur veten në rolin e promotorit të politikave të djathta konservatore të vendit, të cilat deri tani kanë humbur dy beteja frontale kundër reformave liberale të Merkelit dhe politikave që shumëkush në Gjermani i konsiderojnë si “plan për ta mbështetur Greqinë me çdo kusht” nga njëra anë, dhe si kryengritje të së djathtës ekstreme të drejtuar nga Aleanca Populiste për Gjermaninë nga ana tjetër.
Gjatë 18 muajve të fundit, Aleanca për Gjermaninë është mbështetur tek temat anti-BE dhe çështje të tjera të djathta si emigracioni, për të themeluar një parti politike në të djathtë të aleancës CDU/CSU për herë të parë në dekadat e fundit.
Votimi në Bundestag i ndezi qeverisë dritën jeshile që të vazhdonte negociatat për t’i dhënë Greqisë ndihmën e Bashkimit Europian, që arrin deri në 93 bilionë dollarë. Nga 119 anëtarët e Bundestagut, të cilët votuan kundër paketës së shpëtimit javën e kaluar, 60 vinin pikërisht nga partia e Kancelares Merkel.
Shumica, por jo të gjithë votuesit kundër nga radhët e konservatorëve, refuzuan bindshëm miratimin e paketës së tretë të shpëtimit për shkak se nuk janë më të bindur se Greqia i meriton paratë, duke reflektuar kështu edhe frustrimin e madh të përhapur në publikun gjerman.
Votimi i fundit në Bundestag është vetëm një nga sinjalet e rritjes së nervozizmit. 56 për qind e gjermanëve të intervistuar në një sondazh të YouGov mendonin se, marrëveshja me Greqinë ishte “e keqe” ose “shumë e keqe” dhe pothuajse gjysma e tyre ishin në favor të daljes së Greqisë nga eurozona, fenomeni i ashtuquajtur “Grexit”.
Një tjetër sondazh i drejtuar nga Infratest, i cili zbuloi qëndrime më pozitive në lidhje me qëndrimin e Greqisë brenda regjimit të monedhës së përbashkët, raporton se 78 për qind e gjermanëve mendojnë se, Greqia nuk ka për t’i implementuar reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë që 57 për qind e të intervistuarve mendojnë se, kushtet e imponuara nga Merkel dhe Schäuble për paketën e shpëtimit janë të arsyeshme, 22 për qind mendojnë se duhet të ishin edhe më të egra.
Vetëm 13 për qind e gjermanëve duket se mendojnë se kushtet e marrëveshjes janë tepër të egra për popullin grek.
Kristian-demokratët më të ashpër si parlamentari Wolfgang Bosbach, kanë argumentuar se, Athina nuk ka bërë asgjë për të fituar një farë besimi që Bashkimi Europian të mendojë se një ditë do ta shlyejë borxhin që ka.
Bosbach, i cili ka votuar gjithashtu kundër të gjitha paketave të mëparshme të shpëtimit, ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen në rast se partia nuk ndryshon kursin e saj, për të mos dëmtuar më tepër interesat e Gjermanisë dhe interesat e të ardhmes së brezave të rinj gjermanë.
“Kjo nuk është revoltë që kërcënon koalicionin apo vetë Kancelaren Angela Merkel”, shpjegon Joachim Fritz-Vannahme, kreu i Fondacionit Bertelsmann. “Megjithatë, anëtarët konservatorë të Parlamentit duan t’i tregojnë votuesve në të gjithë Gjermaninë, se nuk i mbështesin politikat pro-Greqisë të Kancelares.
Është një shenjë e qartë pakënaqësie dhe sinjalizim se, kriza nuk ka përfunduar. Askush nuk beson se kjo paketë shpëtimi përbën fundin e krizës, siç pretendonin disa ekspertë për paketën e parë dhe të dytë”.
Merkeli nuk ishte gjendur kurrë më parë gjatë viteve të fundit në një kundërshtim kaq të hapur dhe frontal për një çështje madhore nga vetë konservatorët e saj. Që kur u ngjit në pushtet në vitin 2005, Merkeli ka imponuar disiplinë të rreptë në CDU, një grusht i fortë, i cili është bërë më i fuqishëm, pasi popullariteti i saj rritej pas çdo fitoreje elektorale.
Kjo ka shtyrë drejt pakënaqësisë disa nga konservatorët, veçanërisht ata që nuk pranojnë mbështetjen që ajo i ka dhënë disa çështjeve të së majtës së qendrës, që nga energjia e rinovueshme e deri tek homoseksualiteti.
CDU-ja e ditëve të sotme është një parti shumë më liberale dhe më moderne se ajo që Merkeli mori në dorë atëherë kur ndodhej në opozitë gjatë vitit 2000. Kjo është edhe arsyeja përse një sërë konservatorësh të vjetër, së bashku me disa votues të djathtë të tjerë, janë duke e braktisur partinë në favor të Aleancës për Gjermaninë.
Rritja e jashtëzakonshme e popullaritetit të ministrit Schäuble, diçka e pazakontë për një ministër të Financave të lidhur rreptësisht pas rregullave, mund të shënojë një devijim djathtas të partisë, pas kaq shumë vitesh që qëndron në sferën qendrore të politikës nën drejtimin e Merkelit.
Nuk ekziston asnjë lloj grushti apo konspiracioni në Kancelari dhe Schäuble nuk konsiderohet aspak si armik, made nuk konsiderohet as si një konservator i ashpër, por e djathta që qëndron brenda aleancës CDU-CSU duket se po përjeton një zbrazëti të pakëndshme. Siç komentoi edhe gazeta e përditshme “Süddeutsche Zeitung”: “Java e kaluar shënoi fundin e pushtetit absolut të Angela Merkelit në CDU”. Kjo mund të sjellë edhe një spostim djathtas të qeverisë për një sërë çështjesh të tjera, jo vetëm për problemet politike të eurozonës.
Ndërkohë që Merkel ka këmbëngulur gjithmonë se nuk do të ketë kurrë një falje të borxhit grek, ajo ka thënë se është e hapur ndaj bisedimeve për të zgjatur afatin e maturimit të borxhit dhe për të reduktuar interesat që Greiqa i paguan kreditorëve. Por sipas Merkelit, kjo do të ndodhë vetëm në rast se Greqia arrin të përfundojë me sukses negociatat. Seçfarë do të jenë ekzaktësisht këto kompromise dhe deri ku do të shtrihen janë çështje të cilat do të kalojnë fillimisht tek ministri Schäuble, i cili ka shumë pak gjasa të jetë në favor të grekëve. Polici i keq Schäuble ka marrë tashmë në dorë timonin së bashku me policen e mirë Merkel.
Partia nacionaliste CSU, siç parashikohej kishte më shumë kundërshtues se sa CDU-ja edhe pse disa prej tyre vendosën që të mbështesnin gjithsesi Kancelaren Merkel. “Mosbesimi ndaj Greqisë është rritur më shumë se kurrë”, thotë Hans-Peter Friedrich, një ish-ministër.
“Në fakt ne jemi kundër paketës së tretë të shpëtimit, por Wolfgang Schäuble tani e meriton mbështetjen tonë”, tha ai, duke theksuar në mënyrë indirekte se, po të mos kishte qenë për Schäublen, ai dhe partizanët e tjerë të CSU-së do të kishin votuar ndryshe dhe Merkeli ndoshta nuk do të kishte fituar mbështetjen e nevojshme nga vetë partia e saj.
“Roli i Schäubles ka qenë ai i politikanit të lig”, thotë Alan Posner, komentator për të përditshmen “Die Welt”. “Gjatë kursit të krizës greke ka ndodhur një rinacionalizim i politikës në të gjithë Europën, të nxitur nga Gjermania”, ka thënë ai gjatë një interviste. “Tani po vërejmë një dinamikë të re sipas së cilës “grekët urrejnë gjermanët dhe gjermanët urrejnë grekët”.
Është shkatërrimi i idealit të euros si themeli që mban në këmbë Europën. Tani, euro është duke i shtyrë europianët larg njëri-tjetrit. Është duke rritur pabarazinë ndërmjet Veriut dhe Jugut, e kundërta e qëllimit madhor për të cilin u krijua”.
Social-demokratët, partia kryesore e koalicionit që ka qeverisur që në vitin 2013, e kanë distancuar veten e tyre nga disa prej gjembave më të mprehta të Schäubles dhe nga ideja se. Greqia mund të dalë nga Europa. Megjithatë, partneri i koalicionit të Merkelit votoi pro qeverisë. pavarësisht rezervave të tyre lidhur me ndershmërinë me të cilën po trajtohet Greqia.
Partia ishte e ndërgjegjshme se vota kundër ishte një votë pro për dëbimin e Greqisë, diçka që ata kërkonin ta evitonin me çdo kusht. Kushtet Merkel-Schäuble mund të jenë të ashpra, sipas social-demokratëve, por gjithashtu janë më të mira se perspektiva “Grexit”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





