Transmetuar më 01-08-2015, 12:17

Kalvar arrestimesh dhe ekstradimesh për një 41-vjeçar shqiptar i cili akuzohet për një mori akuzash në Shqipëri, Itali si dhe dyshohet për krime në Belgjikë.

Bëhet fjalë për 41-vjeçarin nga Fieri, Geron Hasanbelli që shikoni në foto.

Ditën e sotme, fieraku u ekstradua nga Shqipëria për në Itali, nga zyra qendrore Interpol Tirana, pasi ishte person në kërkim ndërkombëtar: “Burime zyrtare nga policia e Shtetit thanë për noa.al se “ekstradimi i Geron Hasanbelli për në Itali, u bë pasi Gjykata e Milanos, ka lëshuar urdhër arresti për veprat penale,  “Organizatë kriminale", "Ndihmë dhe nxitje prostitucioni", "Krime të lidhura me drogën”, parashikuar nga Kodi Penal Italian”.

Policia e Shtetit thotë se maksimumi i dënimit  për këto vepra penale është deri në 30 vjet burg.

Por e kaluara kriminale e Geron Hasanbelli është e mbushur me ngjarje të tjera.

Geron Hasanbelli është ekstraduar nga Italia në vitin 2009. 35-vjeçari ishte në kërkim nga Gjykata e Fierit. Sipas vendimit të gjykatës, në lokalin Prehistori në Antverp të Belgjikës, dy vëllezërit Erion dhe Geron Hasanbelli, kanë qëlluar me armë shtetasin Juljan Çela dhe Kasander Noga, duke vrarë Julianin dhe plagosur rëndë Kasandrin. Ngjarja ka ndodhur për qëllim gjakmarrje, pasi Juliani dhe Kasandri kishin vrarë babain e vëllezërve Hasanbelli. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Romën u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i Geron Hasanbelli.

Sakaq, katër vite më vonë, nuk është e qartë si iu rikthye lirisë, por më 14 qershor 2013, nga Seksioni Kundër Narkotikëve të Tiranës, u prangos sërish Geron Aqif Hasanbelli, lindur dhe banues ne Fier, i denuar me pare per vjedhje, u arrestua për trafik droge.

Policia tha se në rrugën e “Barrikadave”, gjate kontrollit te automjetit, i gjeti dy qese te vogla me ngjyre te bardhe, te mbyllura me djegie, brenda se cilave tha se kishte pluhur te bardhe te dyshuar lende narkotike te llojit kokaine. “Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.2 grame lëndë narkotike me gjithe ambalazhim”, – tha Policia për ngjarjen e qershorit 2013.

Kurse solli në vëmendje atë ditë se “gjithashtu ky shtetas ka qene dhe person i shpallur ne kërkim per veprën penale te vrasjes, per llogari te policisë Fier, pasi Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 14 vjet burgim me vendim te formës se prerë”.

Pak muaj më vonë, më 20 tetor 2013, nga Interpol Tirana, u krye ekstradimi nga Brukseli, Belgjikë drejt Shqipërisë i vëllait të Geronit, Erion (Mikel) Aqif Hasanbelli, 35 vjeç, nga Fieri.

Në komunikatën policore të asaj dite u tha se “Gjykata e Rrethit Fier, me vendimin nr. 217, datë 07.09.2009, e ka dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim për gjakmarrje“ kryer në bashkëpunim, “Vrasje me paramendim për gjakmarrje“ kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.

Sipas të njëjtit informacion zyrtar, “Erion (Mikel) Hasanbelli në bashkëpunim me vëllanë e tij Geron Hasanbelli kanë vrarë shtetasit Julian Çela dhe Kasander Noga, ku ngjarja ka ndodhur në Belgjikë”.

Pas arrestimit në muajin qershor 2013, duket se Geroni ka rifituar lirinë, pasi para disa ditësh është arrestuar sërish. Në kalvarin policor ndaj Geronit është përfshirë dhe policia e Elbasanit. Pak ditë më parë, “më 24 korrik 2015, u bë ndalimi i shtetasve në kërkim Geron (Gentian) Aqif Hasanbelli (Hasanbelliu) dhe Mikel (Erion) Aqif Hasanbelli, 40 e 37 vjeç, banues në Fier e Tiranë, pasi Gjykata e Milanos Itali, ka lëshuar “Urdhër arresti”, datë 27.01.2014, për veprat penale “Trafik droge”, “Organizatë kriminale, ndihmë dhe nxitje prostitucioni”. Nenet 3, 4, 416 të Ligjit 75/58, si dhe Nenet 73, 80 të Ligjit 309/90 të Kodit Penal Italian”, – thuhet në komunikatën zyrtare të policisë së Elbasanit të lëshuar më 25 korrik 2015, pra një javë më parë.

Burime nga policia bëjnë të ditur se Geron Hasanbelli ka fituar pafajësi nga gjykata e Lartë për krimin e vrasjes së dyfishtë që akuzohej. Në rast se do të ketë rihapej të kësaj dosjeje, thotë policia, mund të marrë dënim të ri dhe dënimi që mund të marrë në Itali, do të vuhet në Shqipëri. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd