Transmetuar më 01-08-2015, 10:29

Një sasi lënde narkotike nga Shqipëria është sekuestruar dje nga policia italiane në Siçili. Rojet bregdetare të Portit të Alkamo Marinës në Siçili të Italisë, pas sinjalizimeve të pushuesve kanë gjetur në mes të detit një pako lundruese të dyshimtë. Brenda saj gjendeshin 15 kg marijuanë.

Lënda narkotike ishte e fshehur në 60 tullumbace në ngjyra e madhësi të ndryshme dhe e dozuar në paketa të vogla 100 gram. Sipas policisë italiane me shumë mundësi marijuana vinte nga Shqipëria.

Trafikantët e drogës për t’i shpëtuar kontrollit të kapitenerisë së portit apo të forcave të rendit në shumicën e rasteve e fshehin ngarkesën në det, duke e lidhur me litarë me mjetin lundrues.

Nuk është hera e parë që ndodh që ngarkesa këputet e pako përfundon e shtyrë nga rryma e ujit në mes të detit. Lënda narkotike i është dorëzuar menjëherë autoriteteve hetimore.

Kapet i riu me kokainë

Ndërkohë, po dje një 32-vjeçar shqiptar është kapur me 1 kg kokainë dhe 6 doza heroinë në Vicenza të Italisë. Shqiptari është ndaluar nga policia, ndërsa transportonte lëndën narkotike me automjetin e tij tip “Renault” Clio, në rrugën “Concordia Sagittaria” të Vicenzës. Policia italiane ka mundur të gjejë në pjesën e brendshme të makinës së tij lëndën narkotike.

Ata bëjnë me dije se në automjet ishte krijuar një ndarje e posaçme, duke hequr një pjesë të sistemit të ventilimit, me qëllim që të fshihte drogën. Droga është futur nga Shqipëria në Itali, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.

Krahas trafikut të hashashit nga Shqipëria drejt Italisë po dërgohen sasira të mëdha heroine dhe kokaine. Policia italiane kapi para pak ditësh një shqiptar me 2.7 kg kokainë gjatë një kontrolli në Venecia. I riu shqiptar ishte nervoz, kur u kap në Martellago dhe gjatë kontrollit iu gjet një çelës i një apartamenti, ku iu gjet dhe droga.

A.H., 21 vjeç ishte denoncuar nga fqinjët për lëvizje të dyshimta dhe kjo bëri që policia ta vë nën vëzhgim. 21-vjeçari, i cili rezulton me probleme me ligjin në Shqipëri, pasi ka kryer krime kundër pronës dhe armëmbajtje pa leje, reagoi me nervozizëm, kur policia i kërkoi dokumentat.

Ai deklaroi para policisë se nuk kishte shtëpi, por mes sendeve të tij u gjet një çelës i një apartamenti në qendër të Martellago-s, ku djali jetonte me qira. Oficerët e policisë, pasi gjetën apartamentin e 21-vjeçarit zbuluan në kuzhinë një sasi prej 2.7 kg kokainë. Policia italiane bëri të ditur se, kokaina është futur në Itali nga brigjet shqiptare.

Kohët e fundit, autoritetet italiane kanë konfiskuar sasi të konsiderueshme të kësaj droge të mbërritur nga Shqipëria.

Në një raport të publikuar para pak ditësh, zyrtarë të Antimafias italiane, flasin për aksin Shqipëri-Pulia, i shndërruar në kanal furnizimi për hashash dhe heroinë për shkak edhe të çmimit më të lirë se kokaina. Në raportin e Antimafias italiane, një rëndësi e veçantë i kushtohet fluksit të lartë të dërgesave me hashash nga Shqipëria në Itali.

Një mori rastesh të bllokimit të sasive të drogës të nisur nga brigjet shqiptare, i bën specialistët të besojnë se, bandat kriminale brenda vendit e kanë zgjeruar bashkëpunimin me Ndragetën, kurse vrasjet apo plagosjet me motiv prishjen e pazareve të drogës shtojnë dyshimet se Kamorra, prej kohësh ka hedhur tentakulat në këtë pjesë të Ballkanit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd