Transmetuar më 01-08-2015, 01:43

Për ish kryeministrin Sali Berisha, politikat e qeverisë së Edi Ramës kanë dështuar në ekonomi dhe për këtë fakti sipas tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar është larguar.

Sipas z.Berisha, “largimi i FMN shënon dështimin e plote te piktorit dështak ne ekonomi”.

Berisha bën lidhje të dy daljeve mediatike, Ramës të enjten kur bëri analizën e “300 ditëve të dyta” të qeverisjes ku përmendi disa arritje sipas tij, dhe përfaqësuesit të FMN një ditë më pas, që sikurse Berisha citon, “njoftoi shqiptaret se ky institucion financiar kryesor botëror, ndërpret marrëveshjen me Shqipërinë per shkak te dështimeve ekonomike te qeverise shqiptare”.

Për Berishën, “ky është një akt tejet i rende dhe i paprecedent ne historinë e vendit”, edhe pse diçka e ngjashme kishte ndodhur edhe gjatë tretë viteve të qeverisjes së opozitës aktuale.

Berisha përmend se “një vendim të tillë FMN e mori për Greqinë pasi qeveria greke dështoi ne realizimin e objektivave qe kishte marre përsipër te realizonte”.

Më tej z.Berisha bën një analizë të situatës ekonomike në shifra, që e gjeni më poshtë:

“Dështimi në mbledhjen e të ardhurave, të cilat janë jo vetëm më të ulëta se sa plani për rreth 19 miliardë lekë edhe më të ulëta se sa viti 2014. Kështu vetëm në muajin maj doganat kishin 16% apo 2.2 miliardë lekë planin dhe 900 milionë lekë më pak se sa një vit më parë. Si pesë mujor vetëm doganat janë 7.5 miliardë lekë nën planin dhe 3.4 miliardë lekë më pak se 5-mujori respektiv i vitit 2014.

Vjedhje edhe më të mëdha dhe rënie të hidhur të të ardhurave ka dhe në tatime. Crown Agents ka një seri raportesh konfidenciale ku denoncon korrupsionin e zyrtarëve në dogana. Tre javë më parë dha dorëheqjen në shenjë proteste për vjedhjet dhe evazionin e lartë fiskal me urdhër politik, drejtori i hetimit në tatime, gjeneral Ahmet Prençi”.

Në përfundim të deklaratës së tij, z.Berisha bë edhe një koment politik: “Piktorit dështak para se sa të krijonte qeverinë në konferencën ndërkombëtare për ekonominë në Tiranë një reformator i madh europian i tha se shanset e dështimit ekonomik i keni 95%, kjo sepse ju mohoni çdo gjë dhe këtë e bëjnë vetëm ata që nuk dinë asgjë. Me Ramën rrokullisja e ekonomisë tonë është dramatike. Duhet te shpëtojmë sa më parë prej tij”. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd