
Ministria e Arsimit dhe Sportit bën publike strukturën e vitit shkollor 2015-2016 për arsimin parauniversitar. Në urdhrin e nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Mirëqenies Sociale, është përcaktuar data e nisjes së vitit të ri shkollor, datat e pushimeve, si edhe periudha e nisjes së provimeve të lirimit dhe maturës.
Mësimi do të nisë më 14 shtator si për shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme.
Për arsimin bazë mësimi fillon më 14 shtator 2015 dhe mbyllet më 10 qershor 2016, ndërsa për atë të mesëm përfundon një javë më vonë, pra 17 qershor 2016.
Gjithashtu, edhe për arsimin profesional mësimi do të nisë po më 14 shtator.
Për sa u përket pushimeve, është vendosur që të bëhen gjatë muajit dhjetor përkatësisht prej datës 25 dhjetor 2015 e deri më 3 janar 2016.
Ndërsa periudha e dytë e pushimeve për nxënësit e arsimit bazë, do të jetë nga data 30 mars 2016 e deri më 3 prill, pra 5 ditë pushim.
Për nxënësit e shkollave nëntëvjeçare provimet e lirimit do të zhvillohen në periudhën 11 qershor e deri më 30 qershor të 2016-s.
Për nxënësit e shkollave të mesme pushimet janë vetëm gjatë periudhës së dimrit, pra që prej 25 dhjetorit 2015 e deri më 3 janar të vitit 2016.
Në lidhje me provimet e maturës është vendosur që të zhvillohen në periudhën 4-30 qershor 2016.
Për sa i përket arsimit profesional, viti shkollor nis më 14 shtator, por data e përfundimit nuk është e njëjtë për të gjithë.
Sipas urdhrit, mësimi për shkollat profesionale përfundon: “Më 17 qershor 2016, për nxënësit e klasave të 10 (për të gjitha strukturat), për nxënësit e klasave të l2 (për strukturën 2+2) dhe për nxënësit e klasave të 11 dhe të l2 (për strukturën bllok 4-vjeçar). Më 3 qershor 2016, për nxënësit e klasave të 1l dhe të 12 (struktura 2+1+1) dhe për nxënësit e klasave të 11 (struktura 2+2). Më 28 maj 2016, për të gjithë nxënësit maturantë”.
Në lidhje me provimet për shkollat profesionale, urdhri përcakton: “Provimet përfundimtare të nivelit I dhe II zhvillohen në periudhën 5 – 17 qershor 2016. Provimet përfundimtare të nivelit III, zhvillohen në periudhën 28 maj – 3 qershor 2016. Provimet e Maturës Shtetërore zhvillohen në periudhën 4 – 30 qershor 2016″.
Periudha e pushimeve do të jetë prej datës 25 dhjetor 2015 e deri më 3 janar 2016. Për zbatimin e këtij urdhri, i cili hyn në fuqi menjëherë, ngarkohen Ministria e Arsimit dhe e Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Drejtoria e Arsimit Parauniversitar, DANZA-të dhe të gjitha institucionet arsimore të sistemit arsimor parauniversitar.
Pas dy muajsh, qindra nxënës do të ulen sërish në bankat e shkollave. Si çdo vit edhe sivjet do të ketë nxënës, të cilët për herë të parë nisin rrugën drejt dijes.
E PLOTË: Struktura e Vitit Shkollor 2015-2016 në Sistemin Arsimor Parauniversitar
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





