




Shqipëria duket se është përfshirë në një tratativë për të blerë pajisje përmes të cilave do të përgjonte celularët dhe mjetet modernë të komunikimit, përfshi aplikacione si Facebook, Skype, WhatsUp apo edhe galeritë e fotove e bisedat në celularë e kompjuterë.
Negociatat me kompaninë ‘Hackingteam’ u bënë publike në Uikileaks, pasi dokumentet e brendshme të kompanisë ishin nxjerrë prej saj. E-mailet për Shqipërinë ndërkohë përmbajnë një informacion të rrëmujshëm, ku flitet për interesim dhe demonstrim të pajisjeve në Tiranë. Ato përfshijnë Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, kryeministrin i cili del pa emër, SHISH, Ministrinë e Mbrojtjes, të Brendshme dhe të Transporteve.
Wikileaks ka publikuar sërish disa materiale zyrtare dhe emaile që lidhen me nje skandal përgjimesh të autoriteteve shqiptare.
“Agjencitë e interesuara, janë, së pari Kryeministri, sa i takon kontaktit tim…”, është kjo një pjesë e email-eve të shkëmbyera ndërmjet punonjësve të kompanisë italiane të teknologjisë “Hacking System” Emad Shehata dhe Marco Bettini.
Shehata, rezulton sipas këtyre email-eve të publikuara së fundi në Wikileaks se kishte lidhur kontakte në Shqipëri, për të sjellë në vendin tonë pajise përgjuese për të gjitha llojet e sistemeve të operimit qoftë atyre kompjuterik, qoftë të telefonave celularë.
Përmbajtja e këtyre mesazheve të postës elektronike identifikon negociatat ndërmjet punonjësve të SHISH dhe kompanisë.
Kurse rezulton se paralelisht për këtë sistem përgjimesh, është i interesuar edhe vetë Kryeministri Edi Rama, (referuar bisedës që është pasqyruar në e-mail).
Nga pala shqiptare figurojnë dy emra që kanë negociuar me kompaninë italiane. I pari është Ermal Dautaj i cili është zyrtar i Shërbimit Informativ Shtetëror, dhe një tjetër person, Altin Hoxha i cili nuk është e qartë se kujt agjencie qeveritare i përket. Konkretisht Dautaj dhe Hoxha, mesa kuptohet në mënyrë të veçuar, por për të njëjtin qëllim kanë negociuar më përfaqësuesit e kompanisë “Hacking Team” që së pari të kishin një demonstrim të programit.
Më tej mësohet se përfaqësuesit e kompanisë italiane, kanë vizituar Tiranën gjatë nëntori të vitit 2014 dhe kanë bërë demonstrimin e programit që ka kënaqur palën shqiptare, por me vetëm një problem të vogël, paratë.
Duke qenë se negociatat u zhvilluan në fund të vitit të kaluar, agjencitë qeveritare përfshirë edhe SHISH-in, nuk kishin mundësi të disbursonin para për ta blerë pajisjen por kanë kërkuar që negociata të rifillonin me miratimin e buxhetit për vitin 2015.
Nga mënyra e diskutimit duket se pala shqiptare ka patur të gjithë predispozitën për ta blerë pajisjen me miratimin e buxhetit por tashmë pikëpyetja e vetme është se cila është agjencia shtetërore që e ka blerë këtë pajisje, SHISH apo Kryeministri Edi Rama?
Zyrtari i SHISH, adreson si pikë kontakti edhe Ministrin e Transporteve Haxhinasto.
Një tjetër fakt mjaft interesant që konfirmon interesin e qeverisë shqiptare për ta patur ajo pajisjen e përgjimit është edhe momenti kur zyrtari i SHISH, Ermal Dautaj i referon si pikë kontakti përfaqësuesit të kompanisë italiane Emad Shehata edhe emai-lin e Ministrit të Transporteve, Edmond Haxhianasto.
Bisedat zgjatën rreth 2 vjet
Prej rreth dy vjetësh një kompani e huaj vazhdimisht ka komunikuar me zyrtarë shqiptarë të interesuar për të blerë nga ajo programe kompjuterike, të cilat shërbejnë për të përgjuar kompjutera dhe telefona të prodhimeve të fundit, ose ndryshe telefona inteligjentë.
Por ndërkohë, nga konsultimi i dokumenteve del që negociatorët e palës tjetër nuk ishin mjaft të përgatitur dhe me gjasë as e dinin se kush agjenci në Shqipëri ishte e interesuar për materialet. Në një moment flitet për Ministrinë e Transporteve, pastaj për atë të Brendshme, të Mbrojtjes, SHISH dhe vetë kryeministrin. Ndër e-maile lexohet se punonjësit e kompanisë kishin mësuar për SHISH në një kërkim në Google. Por më pas informacioni është konfuz. Në një e-mail një prej negociatorëve i referohet presidentit Bujar Nishani si Ministër i Brendshëm (tetor 2013) dhe në kllapa shënon se ai ka qenë drejtues i Shërbimeve Sekrete. Në një mail të tetorit personi negociator thotë se për pajisjen ishte i interesuar Kryeministri i vendit. Në një email tjetër thuhet se në demonstrimin e pajisjes do të ishte i pranishëm Nishani (i shënuar si ministër i Brendshëm) dhe më pas edhe Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes.
Nga emailet zbulohet se përfaqësues të kompanisë kishin qenë në Tiranë dhe u kanë bërë një demonstrim të interesuarve nga pala shqiptare duke u treguar atyre se për çfarë shërbente sistemi. Udhëtimet dhe demonstrimi janë bërë në janar-shkurt 2014 dhe nuk dihet nëse Shqipëria prej atij momenti ka apo jo në administrim një pajisje të tillë përgjimi dhe nëse nuk ishte rënë dakord me ‘HackinTeam’, a ishte zgjedhur një kompani tjetër. Kjo nuk është hera e parë që qeveria shqiptare synon blerjen e pajisjeve të përgjimit. Një e ngjashme u zbulua e blerë nga SHIU (Shërbimi Informativ Ushtarak) dhe u përfol se ishte përdorur në përgjime të paligjshme të opozitës në kohën kur Partia Demokratike ishte në qeveri. Përgjime të disa politikanëve po ashtu qarkulluan në media (më shumë emrat) dhe u përfolën në parlament, por nuk u mësua se si ishin vënë ata në përgjim.
Programi i quajtur ‘Remote Control System Galileo’ është projektuar për të thyer kriptimin e telefonave, kompjuterëve dhe vjedhur informacion prej tyre. Sipas informacionit të kompanisë që e tregton, ai i lejon përdoruesit që të mbledhë fshehurazi të dhëna nga të gjitha sistemet operative të përdorura si Windows XP, Vista, Windows 7 dhe 8, Mac OS dhe Linuks dhe po ashtu të ndërhyjë në telefon dhe të përgjojë deri pamjet që ata marrin me kamera pa llogaritur përgjimin e gjithë programeve të komunikimit prej Facebook e WhatsUp apo edhe Skype.
Ligji i përgjimeve në Shqipëri ngarkon Prokurorinë e Përgjithshme si autoritetin që i lejon ato dhe monitoron e kontrollon kryerjen e tyre. SHISH dhe SHIU (dy shërbimet e informacionit) janë prej institucioneve që mund t’i kryejnë këto përgjime vetë, por prokuroria është ajo që i vlerëson ato dhe i kontrollon.
Të gjitha materialet që publikoi Wikileaks i gjeni këtu.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





