Transmetuar më 30-06-2015, 19:37

Arda Turan zgjedh Anglinë si destinacionin e tij të ardhshëm për të vijuar karrierën.

Mesfushori turk nuk ka vendosur ende se cila do të jetë skuadra e tij e re, por një gjë është i sigurt, që 28-vjeçari do të largohet nga Atletico e Madridit në merkaton e kësaj vere dhe do të transferohet në Premier League.

Tre janë skuadrat e interesuara për shërbimet e Turan, dhe ato janë Manchester United, Chelsea dhe Liverpooli.

Fillimisht u përfol se për futbollistin e kombëtares turke interesohen edhe Barcelona, Milani dhe Paris Saint Germain, por këto tre klube janë tërhequr nga gara për të firmosur me ish lojtarin e Galatasaray-it, duke u lënë rrugë të lirë skuadrave angleze.

Në pole-position për të patur shërbimet e “Pashait” të Stambollit siç e quajnë ndryshe në Turqi mesfushorin, qëndron Manchester United.

Djajtë e Kuq janë të gatshëm t’i paguajnë Atleticos klauzolën e largimit të lojtarit që kap shifrën e 41 milionë Eurove, të paktën kështu raportojnë mediat spanjolle të cilat u referohen atyre angleze.

Nga ana tjetër Liverpooli ofron deri në 35 milionë Euro, por për vetë faktin se The Reds nuk do të luajnë në Champions League sezonin e ardhshëm, Arda Turan nuk e sheh me sy të mirë një transferim të mundshëm në Anfield Road.

Ndërkohë edhe Chelsea shpreson të firmosë me futbollistin turk. Blutë e Londrës për të mbyllur me sukses këtë marrëveshje përveç parave mund t’i ofrojnë Atleticos së Madridit edhe kartonin e Filipe Luis të cilin e blenë vetëm 1vit më parë, pikërisht nga Los Colchoneros për shumën e 20 milionë Eurove, citon Supersport.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd