Transmetuar më 30-06-2015, 17:51

Gjirokastër, 30 qershor 2015, NOA.al- Një ndihmës kontrollor i policisë kufitare në Kakavijë është vënë në prangat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në varësi të Ministrisë së Brendshme i akuzuar për kontrabandë.

I arrestuari është punonjësi i policisë kufitare të Kakavijë, inspektor Mentor Cane, ndërsa krahas tij u ndalua edhe Erald Çaço, shitës me pakicë.

Burime zyrtare nga policia thanë për Noa.al se Cane dhe Çaço në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale, të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”.

SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, pas një hetimi pro aktiv dy mujor me metoda dhe mjete speciale të hetimit, dokumentuan një linjë të kontrabandës së mallrave që paguajnë akcizë, konkretisht cigare të markës “Marlboro”.

Punonjësi i policisë, Mentor Cane, i merrte stekat me cigare në Duty-Free-Shop në pikën doganore në anën greke të kufirit dhe duke shfrytëzuar detyrën, i kalonte ato në territorin shqiptar, duke shmangur detyrimet doganore.

Më pas këto mallra i fuste në bagazhin e mjetit të tij, tip “Benz Mercedez” me targa TR 36 11 U, dhe i sillte në Tiranë tek blerësi, shitësi me pakicë.

Në ngarkesën e fundit, të bllokuar sot në mesditë në rrugën “Ndre Mjeda”, në kryeqytet, punonjësit të policisë Cane iu kapën 36 kuti, me nga 3 steka cigare secila.

SHÇBA ka dokumentuar për periudhën që Cane ishte nën hetim, se ai kryente të paktën dy ngarkesa në javë, me sasi edhe më të mëdha se rasti i kapur.

Nga ana SHÇBA-së, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kutitë me cigare, dy automjete që u përkisnin shtetasve të arrestuar, si edhe katër aparate telefoni celularë./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd