
Tiranë, 30 qershor 2015, NOA.al- Konfindustria reagon lidhur me situatën në vendin fqinj duke thënë se largimi i përfolur i Greqisë nga zona Euro krahas problematikës mund të prodhojë të paktën në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme edhe pasoja pozitive të ndjeshme në fusha të ndryshme të ekonomisë së Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit.
Administratori i përgjithshëm i Konfindustria Gjergj Buxhuku, thotë se shkaku kryesor për pasojat pozitive në ekonominë e Shqipërisë do të jetë pamundësia e ekonomisë dhe ndërmarrjeve greke për të përfituar nga politikat lehtësuese të kreditimit bankar nga të cilat përfitojnë vendet anëtare të zonës euro.
Sipas tij, epërsia e ndjeshme e deritashme e normave të kreditimit të kompanive greke nga politikat nxitëse të Bankës Qendrore Europiane ka goditur ashpër duke i vënë në pozita krejt të pafavorshme kompanitë e ngjashme shqiptare dhe me pasoja të rënda për zhvillimin ekonomik të vendit në gjithë shtrirjen kohore të fundit 25 vjeçare.
“Në radhë të parë si përfituese potenciale do të jenë industritë dhe prodhimet vendore të cilat janë konkurrente të prodhimeve të ngjashme greke. Përmendim sektorë të ekonomisë si agroindustria, bujqësia, prodhimi i pijeve, transportit, etj., në të cilat rritja e kostove të kreditimit si pasojë e daljes nga zona euro do të pasqyrohen si zëra ndikues në uljen e fuqisë konkurruese të prodhimeve greke krahasimisht vendeve të tjera përfshi edhe Shqipërinë”, shprehet Buxhuku./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





