
Tiranë, 30 qershor 2015, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani priti në një takim përmbyllës ambasadoren Audrey Glover, kryetaren e misionit monitorues të ODIHR-it për zgjedhjet lokale 2015 në Shqipëri.
Gjatë takimit të sotëm, Presidenti Nishani foli rreth rëndësisë që patën zgjedhjet në Shqipëri, në kontekstin e hartës së re administrative dhe përgjegjësive të reja që pritet të marrin drejtuesit e rinj të bashkive në vend.
Kreu i Shtetit deklaroi se zgjedhjet mbeten një test i përhershëm i maturimit dhe funksionimit të institucioneve dhe mekanizmave zgjedhore, klasës politike por edhe të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë qytetare.
Duke ndarë vlerësimet dhe shqetësimet e ekipit të monitorimit të ODIHR, të reflektuara edhe në raportin e ndërmjetëm të bërë publik, Presidenti Nishani sugjeroi disa rekomandime për t’u marrë parasysh në interesin më të mirë publik, duke shpresuar se adresimi në kohë i tyre do të kontribuojë më tej në përmirësimin e kulturës politike në Shqipëri.
Nga ana e saj ambasadorja Glover vuri në dukje se vullneti politik mbetet kyç në këtë proces, ndërkohë që ai mbetet i pakodifikueshëm në legjislacion.
Ajo bëri me dije se bashkë me ekipin monitorues do të përmbyllin raportin në harkun e 8-10 javëve të ardhshme, duke reflektuar edhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të ardhshme zgjedhore në Shqipëri./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





