Transmetuar më 30-06-2015, 15:45

Tiranë, 30 qershor 2015, NOA.al- Delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar në përfundim të misionit në Shqipëri, mbajti një konferencë për mediat në praninë e Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, atij të Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në fjalën e rastit Ministri i Financave deklaroi se trajektorja e rritjes ekonomike është sipas parashikimeve. Ai shtoi se në pjesën e parë të vitit pati vështirësi, për shkak të përmbytjeve.

Cani garantoi se buxheti do të mbahet nën kontroll. Lidhur me situatën në Greqi ai tha se ekonomia shqiptare përshtatet me këtë gjendje dhe biznesi po përshtatet me planet për investime.

Sipas tij ulja e fuqisë blerëse mund të ndikojë në eksportet shqiptare, por tha se një gjë e tillë mbetet për t’u parë me kohën.

Ministri Cani deklaroi garantoi çdo shqiptar se bankat me kapital grek që operojnë në vend janë të sigurta dhe nuk vend për panik.

“Efektet e situatës greke në ekonominë shqiptare janë nën kontroll, së pasi ajo që po ndodh në Greqi nuk është lajm. Pasi kemi pesë vite që ekonomia jonë po përshtatet me këtë gjendje. Bizneset, aktorët e ekonomisë shqiptare kanë arritur të përfshirën me këtë situatë. Ulja e fuqisë blerëse në Greqia mund të ndëshkoje në eksportet tona, por kjo është një çështje që duhet parë me kohë. Nëse ndodh që të zhvlerësohet monedha, është një efekt i përzier, por supozojmë se do ulet eksport shqiptar në Greqi. Nuk bëhet fjalë që eksporti të ndalojë. Ndoshta duhet parë diçka për bankat shqiptare me kapital grek, si nga ana ligjore dhe nga ana e administrimit të tyre. Ne gjykojmë që këto banka janë në kontrollin e autoriteteve shqiptare. Në kuadër e komitetit dhe gjykimi është që të gjithë treguesit e sistemit bankar shqiptare dhe atyre greke, janë të konsoliduar dhe nuk ka asnjë rrezik për bankat shqiptare”, u shpreh Cani.

Guvernatori i Bankës Genti Sejko, garantoi sektorin privat se perspektiva e zhvillimit të biznesit është pozitive.

Ai tha se zhvillimet financiare kanë qenë në përputhje me pritshmëritë, ndërsa shtoi se rritja e pritshme ekonomike e 2015-ës është rishikuar, duke nënvizuar se goditjet do të kenë ndikim kalimtar.

Sipas Guvernatorit, rritja ekonomike do të vijë në rritje në gjysmën e dytë të vitit. Në vijim Sejko deklaroi se nga analizat e bëra, sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe se është frenuar rritja e kredive të këqija.

Nga ana e tij kreu i delegacionit të FMN në Shqipëri, Nadeem Ilahi deklaroi se programi ekonomik vijon të ketë progres dhe se ka shenja të rimëkëmbjes ekonomike.

Ai tha se qeveria i ka përmbushur kryesisht objektivat, por shtoi se për të siguruar që Shqipëria të ecë në rrugën e duhur, duhet të ketë një konsolidim fiskal, duke pohuar se në këtë drejtim është nxitur qeveria shqiptare.

Ilahi u ndal në rëndësinë për të punuar për të ulur kreditë e këqija në vendin tonë.

Sa i takon krizës në Greqi dhe ndikimit në ekonominë shqiptare, Ilahi tha se sektori bankar në Shqipëri është i kapitalizuar mirë dhe se bankat me kapital grek me kalimin e kohës kanë pasur rëndësi në ulje, duke thënë se rrisku i efekteve nga kriza greke do jetë i ulët.

Gjithsesi ai tha se çdo ndikim duhet trajtuar me kujdes nga qeveria shqiptare.

Në vijim ai shtoi se dërgesat e emigrantëve kanë qenë të rëndësishme në ekonominë shqiptare, duke deklaruar se rëndësia e tyre ka rënë.

Sa i takon eksporteve, kreu i delegacionit të FMN tha se eksportet nuk janë të shumta drejt Greqisë, ndaj ndikimi do të jetë i ulët.

Në fjalën e tij Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se programi ekonomik i Shqipërisë vazhdon të shënojë progres.

Ai u shpreh se është e vërtetë që sektorët realë të ekonomisë kanë reaguar pozitivisht dhe se ekonomia shqiptare ka treguar se është e qëndrueshme dhe mbetet relativisht imune ndaj faktorëve dhe zhvillimeve jo stimuluese që vijnë nga Greqia.

“Ne besojmë që në pesë vitet e fundit ekonomia shqiptare ka absorbuar një pjesë të mirë të goditjes që ka ardhur nga kriza europiane dhe greke, dhe kjo është reflektuar në vite dhe në nivelin e ulët të kërkesës së jashtme. Nëse i referohemi shkëmbimeve tregtare sipas të dhënave më të fundit të muajit Maj, Greqia zë vetëm 7.3 për qind të totalit të volumit. Struktura ekonomike  e vendit tonë ka fituar fleksibilitet, duke e zhvendosur volumin e shkëmbimeve dhe të  marrëdhënieve tregtare drejt partnerëve më të qëndrueshëm ekonomikë, siç janë Gjermania, Italia, Spanja apo Turqia, duke ulur ndikimin e ekonomisë greke në ekonominë e vendit tonë”, tha Ahmetaj./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd