Transmetuar më 30-06-2015, 14:47

Tiranë, 30 qershor 2015, NOA.al- “Arrest me burg” është masa e sigurisë e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda ka ndaj Arbion Alikos, i arrestuar dy ditë më parë në Lazarat, i akuzuar për vrasjen e efektivit të forcave RENEA, Ibrahim Basha dhe plagosjen e dy të tjerëve.

20-vjeçari rezultonte në kërkim për tentativë të vrasjes së punonjësve të policisë gjatë aksionit të parë që uniformat blu ndërmorën në Lazarat për çrrënjosjen e kanabisit, në qershor të vitit të kaluar.

Arbion Aliko në dosjen e vitit 2014 akuzohet edhe për kultivimin e lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grupet kriminale.

Sakaq gjatë ditës së nesërme Arbion Aliko dhe vëllai i tij, Alban Aliko do të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda në kuadër të akuzës së ngritur nga hetuesit lidhur me ngjarjen e rëndë të 24 qershorit, ku mbeti i vrarë efektivi i forcave RENEA.

Dy vëllezërit Aliko akuzohen si dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e efektivit të RENEA-s në Lazarat, si dhe të krijimit të një grupi kriminal për rikthimin e regjimit të drogës në Lazarat. Deri tani Arbion dhe Alban Aliko, kanë mohuar të jenë pjesë e grupit të zjarrit dhe të kenë qëlluar ndaj forcave të policisë.

Lidhur me ngjarjen e 24 qershorit ku humbi jetën efektivi i RENEA, nga hetimet e deritanishme, rezulton grupi i armatosur kishte 6 muaj që përgatitej për të sulmuar dhe luftuar forcat e Policisë së Shtetit, me qëllim rikthimin e gjendjes së mëparshme në fshatin Lazarat, ku të krijohej mundësia për të kultivuar lëndë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu, janë krijuar dyshime se organizatorë të këtij grupi janë vëllezërit Arbion Aliko dhe Alban Aliko./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd