Transmetuar më 30-06-2015, 14:00

Tiranë, 30 qershor 2015, NOA.al- Partia Demokratike reagon pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit e cila e dënoi me burgim të përjetshëm Arben Frrokun, i akuzuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj.

Deputeti Gerti Bogdani tha në një dalje të sotme nga selia blu se një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit i cili ktheu në vend drejtësinë për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, Arben Frroku nuk është pas hekurave, por është larguar në drejtim të paditur, ose siç tha ai në drejtimin e duhur.

“E themi këtë dhe e denoncojmë këtë fakt sepse Arben Frroku nuk do të ishte sot i lirë edhe pse i dënuar nga Gjykata e Apelit: po të mos kishte udhëhequr fushatën e Partisë Socialiste në Pukë prej dy muajsh; po të mos kish mbështetjen dhe aksesin e Kryeministrit të vendit i cili kaloi më shumë se një orë me të, tek turizmi i Pukës, në mes të qytetit vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve; po të mos kish kaluar lirshëm dhe pa pengesë pikën kufitare me Malin e Zi; dhe po të mos kishte marrë ‘ok’ e zyrës së Interpol Tirana në momentin që u ndalua nga autoritetet në pikën kufitare mes Malit të Zi dhe Kroacisë”, u shpreh Bogdani.

Ai tha se Kryeministri ka dhe duhet të ketë përgjegjësinë dhe detyrim ligjor t’i japë përgjigje para qytetarëve shqiptarë për këto fakte tronditëse.

Sipas tij, për fat të keq, dhe në dëm të Shqipërise dhe shqiptarëve, ky ishte standardi i Edi Ramës në këto zgjedhje elektorale; blerja masive e votës; përdorimi dhe presioni i administratës; kandidimi i personave të inkriminuar dhe përfshirja e elementëve të inkriminuar për të mbështetur ata dhe për të shantazhuar shqiptarët.

“Këto tashmë janë fakte evidente jo vetëm për shqiptarët por edhe për ndërkombëtarët, të cilët e kanë denoncuar qartazi këtë realitet në politikën shqiptare”, tha më tej Bogdani./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd