Transmetuar më 30-06-2015, 11:59

Tiranë, 30 qershor 2015, NOA.al – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar sot me udhëheqësen e misionit vëzhgues të OSBE-OHDIR në Tiranë, Audrey Glover. Në përfundim të takimit, të cilin e ka cilësuar si produktiv, është shprehur se kishte pika të përbashkëta shqetësuese me shefen e misionit të vëzhguesve, në lidhje me shkatërrimin e standardeve të zgjedhjeve të 21 qershorit.

“Një takim produktiv me kryetaren e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. Shqetësimet e prekura në raportin paraprak për shkatërrimin e standardeve zgjedhore janë dokumentuar nga vëzhguesit në terren. Ndërkohë, Partia Demokratike është në procesin hartimit të një raporti të detajuar të shkatërrimit të standardeve zgjedhore që kulmuan në ditën e zgjedhjeve por që nisëm që me fushatën elektorale.”,- tha Basha.

Ai shtoi zhqetësimet e PD dhe të ODIHR-it kanë pika të përbashkëta siç është shitblerja masive e votës, kandidimi i personave me rekorde kriminale, përdorimi i bandave nga pushteti për të kërcënuar votuesit dhe aktivistët e opozitës, presioni mbi median e lirë, shitblerja, mbledhja, falsifikimi i kartave të identitetit, presioni mbi administratën publike dhe përdorimi i saj për të ushtruar presion tek zgjedhësit, tek të afërmit e anëtarëve të administratës publike ose jo.

Ai tha më tej se këto shqetësime dhe shqetësime të tjera tashmë janë bërë publike, siç u pa edhe në takimin e djeshëm të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian dhe se shkatërrimi i zgjedhjeve të 21 Qershorit është tashmë i dokumentuar.

“Ne do të bashkëpunojmë me OSBE-në, ODIHR-in, Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian që çmojnë standardet demokratike dhe progresin demokratik të 25 viteve të Shqipërisë për të ndalur këtë gremisje të demokracisë shqiptare, për të dalë nga ky udhëkryq i rrezikshëm i zhbërjes së demokracisë ku e futën vendin Edi Rama me Ilir Meta me shkatërrimin e zgjedhjeve të 21 Qershorit”, deklaroi lideri i PD.

Ai e cilësoi si një betejë që PD dhe ai personalisht e kanë mision për të qëndruar në ballë të gjithë qytetarëve të lirë shqiptarë, të cilët duhet të kenë besim të plotë se e drejta e tyre themelore për të dhënë votën e tyre të lirë nga presionet, nga kërcënimet, nga frika, nga shantazhi, nga blerja e votës, për kandidatë të denjë për votën e tyre, do të mbrohet deri në fund nga Partia Demokratike dhe nga ai personalisht.

I pyetur nëse kjo do të thotë një reformë e re, Basha u shpreh se, “Kjo do të thotë një rishikim total, padyshim, edhe i sistemit për të pamundësuar këtë maskaradë dhe këtë banditizëm masiv me zgjedhjet e 21 Qershorit, por do të thotë më shumë se kaq. Do të thotë një zgjim i madh qytetar, një zgjim i madh kombëtar popullor në mbrojtje të demokracisë, në mbrojte të standardeve zgjedhore, në mbrojtje të zgjedhjeve të lira si parakusht i një demokracie funksionale”. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd