Transmetuar më 29-06-2015, 20:26

Tiranë, 29 qershor 2015, NOA.al – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar sot gjatë një takimi me bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jonathan Evans, Hunko, Bas Klein, zv-Kryetar i Sekretariatit të Komisionit të AP, të KiE dhe Delphine Freymann, Sekretare e Komisionit të Monitorimit të AP të KiE, se pas 25 vitesh është goditur rëndë demokracia, ndërsa u shpreh se Shqipëria është pa zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Fatkeqësisht ky proces zgjedhor e ka futur Shqipërinë në listën e vendeve që nuk realizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”,- tha Basha gjatë takimit.

Ai u ndal konkretisht në problematikën e zgjedhjeve, duke nisur me kandidimin nga mazhoranca të personave me rekorde kriminale,  të cilët ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota.

“Në zgjedhje u përfshinë  banda të lidhura me pushtetin,  të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, aktivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë, të cilët nuk ndërmorën asnjë masë. Administrata publike u vu në një presion të hapur nga kryeministri dhe kryetari i kuvendit,  për të mbushur kutitë me vota, fakt i njohur botërisht”,- deklaroi kreu i opozitës.

Ai shtoi se me mijëra raste janë faktuar tashmë nga opozita dhe mediat, të falsifikimit të kartave të identitetit duke mundësuar votimin në 21 qershor të personave që nuk ndodheshin në Shqipëri.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal dhe në presionin e jashtëzakonshëm që qeveria dhe mazhoranca ushtroi ndaj mediave. Ndër rastet flagrante që solli në vëmendje zoti Basha ishte ai i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili kërcënonte gazetarët  me vendin e punës nëse thonin të vërtetën.

“Për herë të parë në 25 vite demokraci në Shqipëri është shënuar dhe një rast i paprecedent, anti demokratik e anti europianist, ai i kërcënimit të zgjedhësve nga krerët e qeverisë, se po votuan për opozitën nuk do të kishin bukë dhe ujë”,- tha kryedemokrati.

Ai shtoi se në këto zgjedhje është shënuar blerje masive e votës me para të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Partia Demokratike është e vendosur dhe do të qëndrojë me  të gjithë forcën e saj për të mos lejuar kthim prapa dhe për të rivendosur standardet demokratike dhe të shtetit ligjor”,- deklaroi Lulzim Basha. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd