Transmetuar më 29-06-2015, 15:03

Tiranë, NOA.al- Deri në mesditë i gjithë vendi do të jetë nën ndikimin e kthjellimeve por pas mesdite do të ketë zhvillim të vranësirave duke gjeneruar shira në pjesën më të madhe të vendit. Më të theksuara në zonat juglindore ku do të ketë edhe rrebeshe. Pjesa e dytë e ditës do të sjellë përmirësim të motit në zonat e ulëta dhe bregdetare duke bërë që kthjellimet të jenë dominante ndërsa me vranësira dhe shira do të mbetet e gjithë zona malore lindore. Gjatë natës i gjithë territori i vendit do të jetë nën dominimin e kthjellimeve.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit nuk do të pësojnë ndryshime të dukshme duke ruajtur të njëjtat vlera të tyre konstante. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 20 km/h nga drejtimi veriperëndimor duke bërë që në det të gjenerohet dallgëzim 3 ballë.

Europa

Pjesa më e madhe e kontinentit të Europës do të paraqitet me mot të kthjellët si pasojë e qarkullimit të masave ajrore të qëndrueshme kontinentale. Ndërsa, një pjesë e gadishullit të Ballkanit do të dominohet nga vranësira konvektive duke gjeneruar rrebeshe shiu, më të theksuara Ballkani verior e lindor. Po ashtu me vranësira dhe shira do të dominohen vendet Nordike si edhe ishujt britanike./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd